Pse Sejdiu anuloi takimin me Menduh Thacin?
Albeu.com
nga Rijad MuratiPresidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu të enjten në moment të fundit e ka anuluar takimin me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi, takim i cili ka qenë i caktuar prej më herët.Zyrtarisht janë paraqitur arsyetime kundërthënëse lidhur me shkaqet e anulimit të takimit. Në kabinetin e presidentit Sejdiu kanë thënë se takimi është anuluar për shkak të agjendës së ngjeshur të presidentit kosovar, kurse në PDSH kanë thënë se takimi është anuluar për shkak të mbledhjes së Kuvendit qendror të PDSH-së.
“Takimi është anuluar për shkak se janë paraqitur disa obligime të rëndësishme për presidentin Sejdiu të cilat nuk kanë mundur të anulohen. Takimi është anuluar me mirëkuptim të dyja palëve dhe me marrëveshje që ai takim të realizohet në ndonjë rast tjetër”, ka deklaruar për “Lajm” zëdhënësi i presidentit kosovar Xhavit Beqiri. Të enjten ai nuk ka mundur të thotë se kur do të realizohet ky takim. Në PDSH kanë thënë se Menduh Thaçi nuk ka udhëtuar për në Kosovë. “Kryetari ka anuluar takimin për shkak të mbledhjes së Kuvendit qendror partiak”, ka deklaruar zëdhënësi i PDSH-së, Adriatik Imeri. Megjithatë burime të mirinformuara për “Lajm” kanë thënë se kryetari i PDSH-së të enjten paradite është nisur për në Prishtinë. Ata kanë arritur deri në afërsi të vendit të quajtur “Fusha e pajtimit” që gjendet mes Kaçanikut dhe Ferizajit, prej ku janë kthyer, pasi prej kabinetit të Sejdiut i kanë njoftuar se takimi do të anulohet. Të njëjtat burime kanë thënë se takimi është anuluar nën presion të kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, i cili është në raporte të ftohura me kryetarin e PDSH-së. Jozyrtarisht ata kanë thënë se takimi është anuluar edhe për shkak të “sjelljes aktuale të PDSH-së në skenën politike në Maqedoni. Zëdhënësi Beqiri ka thënë se raportet e ftohura mes PDK-së së Kosovës dhe PDSH-së së Maqedonisë nuk janë shkak për anulim të takimit. “Zoti Sejdiu është president i shtetit dhe raportet e tij ndërtohen konform pozitës që e mbanë”, ka thënë për “Lajm”, Beqiri. (LAJM)
Shtuar më 15/03/2008, ora 00:03
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori