Pse Rama bëhet hor për ca banditë nga Nikla?
Edi Rama ka kaluar çdo pritshmëri negative për të. Madje, ai ndoshta ka tejkaluar edhe veten e tij gjatë këtyre muajve të fundit me mbështetjen e paepur që po u jep banditëve që dalin nga të gjitha anët e maxhorancës.

Ndërkohë që mund të mbante një qendrim disi më neutral në skandalin më të fundit të torturave që djali i deputetit Rrahman Rraja i ka bërë një vajze jetime nga fshati i tij, çuditësisht Rama hidhet në sulm duke vënë në shënjestër nënkomisarin Nuhu që publikoi skandalin si edhe çdo gazetar që ka guxuar të shkruajë dhe të flasë për këtë çështje.

Ndoshta Rama i trembet rritjes së reagimit publik për këtë histori, e cila duket se është pika që do të derdhë gotën e zullumeve që janë bërë deri më tani në Shqipëri nga njerëz me pushtet, të cilët deri më tani kanë vjedhur, grabitur, rrjepur ç'kanë mundur me leje apo ligje të posaçme të qeverisë.

Me sa duket zullumi i ka prekur edhe fizikisht dhe duket se shqiptarët nuk po durojnë më, prandaj edhe ky reagim masiv ndaj një ngjarjeje makabre siç është torturimi duke i figur cigaren në trup një vajze të pambrojtur nga njerëz me super pushtet në zonë.

Rama mund të kishte dalë me i larë nga kjo histori duke urdhëruar shkarkimin e të gjithë personave që kanë gisht në këtë histori, por jo, edhe kësaj radhe ai mori anën e bandave dhe banditëve përballë një vajze të pambrojtur.

Pyetja që të vjen ndërmend është kjo: Pse i duhet kryeministrit të një vendi të bëhet hor në sytë e qytetarëve për një bandit?

Ccdo qytetar normal i këtij vendi do të thoshte se nuk ka mundësi që kryeministri i Shqipërisë të shkojë aq poshtë sa të bëhet hor për ca banditë nga Nikla. Por ja që Rama u bë dhe duket se kjo lidhet me obsesionin që ai ka ndaj të fortëve dhe frikën se duke i goditur do të tërheqë fijen e çorapit të pushtetit të tij. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2018, ora 13:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori