Pse PS nuk ka kërkesa reciproke ndaj opozitës!
Alfred Peza

Gjatë një emisioni televiziv me një koleg të PD, pyetjes së gazetarës se çfarë do të kërkonte PD-ja nga protesta që do të zhvillohej të nesërmen, ai iu përgjigj aty për aty: I vetmi kusht që kemi, është që të iki Edi Rama. Po u zgjidh kjo, të gjitha të tjerat janë të zgjidhura.

Po ju,- më pyeti gazetarja, me sa duket për të ndarë jo vetëm një kohë të barabartë mes nesh, por edhe të njëjtën pyetje: I vetmi kusht që kemi, është që të mos iki Lulzim Basha,- iu përgjigja aty për aty, instiktivisht. Në studio filluan të qeshurat para dhe pas kamerave.

Duke e shtjelluar përgjigjen, i thashë se ne, ndryshe nga PD dhe LSI, nuk qahemi për vete. Lutemi që PD dhe opozita, të mos e heqin kurrë Lulzim Bashën, nga kreu i tyre. Ne të kënaqur jemi. Nuk ankohemi. Madje, ju siguroj që nuk kemi për ta kërkuar kurrë, për reciprocitet, atë që opozita kërkon prej shumë e shumë kohës nga PS dhe mazhoranca në pushtet.

E nisur si gjysëm shakaje, gjysëm ironie, por me një thelb plotësisht të vërtetë brenda, kjo tezë mu rikujtua ndërsa Prokuroria gjatë kësaj jave që po mbyllet kishte thirrur drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike, në lidhje me hetimet për pagesat e lobimit të bëra prej saj dhe në emër të saj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky zhvillim më forcoi akoma edhe më shumë bindjen, se përse në asnjë rast nuk duhet të qahemi dhe nuk duhet që PS të kërkojë si kusht as në të ardhmen, largimin ndonjëherë të Lulzim Bashës nga kreu i PD dhe i opozitës së sotme. Kjo jo vetëm për shkak të logjikës më të thjeshtë e normës më elementare të mënyrës së funksionimit të partive politike në pluralizëm. Sipas të cilave, vetëm strukturat e partive si grupime vullnetare njerëzish që ndajnë të njëjtat ide dhe qëllime politike, kanë të drejtën që të zgjedhin edhe lidershipin e tyre. Më pas, nëse ky lidership i çon drejt fitoreve elektorale apo humbjeve të tyre, janë po strukturat e partive ato që mbi bazën e normave dhe rregullave të tyre të brendshme, vendosin që ti heqin apo ti mbajnë akoma mbi krye udhëheqësit që duan, e me sa duket, edhe që i meritojnë plotësisht ti kenë.

Një shkak tjetër i qenësishëm, lidhet me një aksiomë shumë të njohur politike, të vërtetuar nga historia, e cila na mëson që të “mos e ndërpresësh kurrë “armikun” tend, kur është duke bërë një gabim!” Për aq kohë sa PD dhe opozita jonë zyrtare në përgjithësi është duke gabuar, askush që është në anën e mazhorancës, nuk ka asnjë arësye që të tentojë që ta ndërpresë lidershipin e saj, kur shkon nga gabimi në gabim.

Në një sistem të demokracisë liberale e funksionale, ku në pushtet vihet vetëm nëpërmjet votës së qytetarëve në procese zgjedhore sipas përcaktimeve Kushtetuese, ta kërkosh atë në rrugën e kundërt, është pak të thuash se ajo është gjëja më e gabuar. Për më shumë se aq, ky është thjeshtë dhe vetëm, një projekt utopik!

Eshtë jo vetëm e gabuar, por edhe utopike që të kërkosh të vish në pushtet jo nëpërmjet pjesëmarrjes në votime, por duke e kërkuar që ta fitosh atë në tavolinë.

Eshtë jo vetëm e gabuar, por edhe utopike që të kërkosh të vish në pushtet nëpërmjet një procesi elektoral me standardet më të larta dhe të mos shkosh asnjëherë, në tryezën e reformës së saj.

Eshtë jo vetëm e gabuar, por edhe utopike që të kërkosh të pushtosh majën e sistemit, nëpërmjet rrugës së daljes prej saj.

Eshtë jo vetëm e gabuar, por edhe utopike që të kërkosh të fitosh votat popullore, nëpërmjet protestave partiake.

Eshtë jo vetëm e gabuar, por edhe utopike që të kërkosh të vish në pushtet, duke e shitur hallin personal të lidershipit tënd opozitar, si hall popullor dhe kombëtar.

Eshtë jo vetëm e gabuar, por edhe utopike që të kërkosh të vish në pushtet, duke harxhuar disa herë më shumë para për lobime përtej oqeanit, sesa për fushatën elektorale brenda përbrenda territorit të Shqipërisë, ku edhe është përcaktuar dhe do të përcaktohet përjetësisht, fituesi dhe humbësi legjitim i zgjedhjeve.

Për këto dhe shumë e shumë arësye të tjera, që janë shtjelluar dhe po shtjellohen çdo ditë për opinionin publik, PS dhe mazhoranca e saj, nuk kanë patur dhe nuk kanë për të patur kurrë, kërkesa reciproke ndaj opozitës. Përveç të tjerash, edhe për arësyen e thjeshtë, se historia politike na mëson që të “mos e ndërpresësh kurrë “armikun” tend, kur është duke bërë një gabim”, e jo më kur ai është duke bërë një faj, si ky që është duke konsumuar opozita jonë!
Shtuar më 30/03/2019, ora 20:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori