Sulmohet bosi i drogës në Elbasan
Pse maturantët zgjedhin studimet jashtë. A e dinë se...
Pëlqej
nga Erion Muça -

Lajmi statistikor që qarkulloi në media në fazën e parë të aplikimeve të maturantëve për preferencën masive për ndjekjen e studimeve jashte vendit ndonëse me një mesazh të fortë u anashkalua pa zhurmë. Ky lajm përbën një tregues të rëndësishëm që shtyn çdokënd drejt analizave për gjetjen e argumenteve dhe konkluzioneve se pse këtë vit ka më shumë kuota sesa aplikime. Në justifikim e sipër, si për të gënjyer veten, opinionin dhe deformuar faktin e pamohueshëm, zyrtare të ndryshëm mblodhën copëza arsyetimesh nga pluhurosja e diktimit të ligjërimit nga ana e titullarit dhe arsyeja e kësaj zgjedhje doli: „procesi është në vazhdimësi „ vërtet një justifikim foshnjor si rezultat i mosnjohjes së konkluzioneve dhe produkteve studimore që lidhen me karrierën, tregun e punës dhe funksionimin e tyre. Fshehja me argumente teknike të këtij fakti prej kohësh nuk përbën gjë tjetër vetëm hedhjeje hi syve për mos të thene akt vetëvrasës për imazhin e institucionit dhe mos analizim specifik i impaktit të mesazhit në audiencë. Maturantët po largohen jashtë se në Shqipëri nuk po ndërmerren iniciativa pozitive në reformimin e universiteteve porse ky reformim ndryshe është menduar, ndryshe është konceptuar, ndryshe është strukturuar dhe ndryshe po implementohet. Sistemi dual i shumë pritur në arsimin profesional në implementim e sipër po jep rezultate por vështirësia mbetet në arsimin e lartë ku intershipet, si ndër të paktat forma të qasjes praktike të një studenti ose mungojnë ose gjenden me rrekjet e mundimshme të studentit në mungesë të njohjeve ose është e cekët dhe të ofron shumë pak profesionalisht. Mungesa e dëshirës në masë nga ana e ekspertëve të shumë fushave për mos të dhënë dhe mësuar të gjitha sekretet e punës studentëve të rinj nga frika e konkurencës së mëpastajme, i lë ata të vegjetojnë në cektësinë dhe mosnjohjen e punës që nesër do të bëjnë në profesion. Mbështetja e integruar dhe zyrtarizuar midis fakulteteve dhe bizneseve të sektorit privat vijon të mbetet pjesërisht vetëm në letër. Maturantët duan të largohen pasi realisht hapësirat për të shkolluarit me arsim të lartë në një treg të vogël pune siç është shqipëria duket se janë shumë minimale në raport me pritshmërinë, rezultatet dhe investimin e bërë të maturantit reflektuar në rezultate. Shqipëria prej kohësh e ka urgjente specializimin edhe të maturantëve në zanate dhe profesione specifike për t`ju përgjigjur kërkesave të larta të tregut të punës por këto kërkesa të tregut ose nuk lexohen drejt dhe trajtohen nga maturantet me rendesine e duhur ose neglizhohen nga egoja e të synuarit shumë lart e tyre, të iluzionuar shpesh nga projeksionet dhe nxitja familjare si dhe uni i sëmurë për të qenë të parët edhe në pozicione apo profile ku tregu i punës është i tejngopur dhe shkalla e papunësisë maksimale. Zgjedhja e një kualifikimi me tepër duke studiuar jashtë vendit dhe për tu rikthyer dhe përmirësuar diçka në vendlindje është shumë pozitive por edhe tregues i pretendimeve të maturanteve që e synojnë. Mendim optimist por fatkeqësisht në një sistem tregu i cili edhe pas rikthimit nuk të afron por të largon dhe në raste të tjera nuk të jep atë që meriton duke të cënuar edhe dinjitetin dhe detyruar të përshtatesh shumë rëndomtë në kundërshtim të hapur me parimet dhe vlerat e vetes, bën që konfuzioni i maturantëve t`ja vështirësojë zgjedhjen dhe marzhi i gabimit të jetë shumë i lartë. Maturantët zgjedhin të largohen për një shkollim perëndimor duke e vendosur fort synimin dhe theksin tek zhvillimi në anën profesionale por tregu i punës vendas ka më shumë nevojë për aftësi personale te zhvilluara. Tregu ka nevojë për energjinë dhe pasionin e tyre. Tregu ka nevojë për maturantë konkurues dhe të talentuar, për njerëz guximtare dhe fitimtare, për njerëz këmbëngulës, rezistente dhe mjeshtra të artikulimit dhe sulmeve triumfuese verbale. Shqipëria ka nevojë për maturantë që lëvizin me shpejtësinë e erës, të shndërvjellët, luajalë, strategjik dhe inteligjentë. Tregu ka nevojë për maturantë që sot ose nesër do të penetrojnë në hapësirat boshe të shoqërisë dhe të tregut të punës duke krijuar me profesionalizëm identitetin profesional duke u nderuar për punën dhe kontributin që i japin dhe do ti japin shoqëri së dhe tregut të punës. Shqipëria ka nevojë për maturantë me aftësi të spikatura personale, drejtuese, negociuese, komunikuese dhe me aftësi të jashtëzakonshme menaxheriale dhe operative. Tregu ka nevojë për ata maturantë që e duan dhe do ta duan punën, ku komoditetin e gjejnë në flukse pune pasi në ato momente mund të zbulojnë tek vetja karakteristika dhe kompetenca të reja pasi mësimi nga të provuarit, eksperienca dhe vënia e shpejtë në zbatim e të mësuarit prej saj, janë themeli i një diferencimi të shpejtë nga të tjerët. Tregu i punës në Shqipëri kërkon njerëz të fortë dhe plot sqimë që nuk dorëzohen por kur sulmohen nuk mbrohen por kundërsulmojnë duke goditur fort dobësitë e sulmuesit të tyre për të fituar me nockout. Studimet e fundit gjithnjë e më shumë po tregojnë se nuk është vetëm zhvillimi profesional që është thelbësor por jo ekstremisht dhe as supershkollimi, armë për të triumfuar në punë dhe promovuar në karrierë por iniciativa, sipërmarrjet e guximshme, fleksibiliteti dhe zgjerimi i rrethit të njohjeve dhe shfrytëzimi i tij. Implementimi i modeleve të testuara jashtë si të suksesshme nuk ndihmon ose ndihmon pak një maturant nesër profesionist, pasi ndihma më e madhe për të, është njohja shumë e mirë e proceseve dhe strukturimit të tregut të punës, përshtatja me terrenin dhe funksionimin e sistemeve të shoqërisë, mentalitetin, filozofinë e të jetuarit dhe të punuarit ,zotërimi i të cilave i ofron avantazhe të patjetërsueshme për të qenë konkurues shumë shpejt edhe në Shqipëri. Maturantët përgjithsisht nuk janë të gatshëm për ti kërkuar dhe gjetur tek vetja këto avantazhe dhe zgjedhin të largohen në vend që të përballen në fillim me veten e tyre duke analizuar raportin e gjërave nga të cilat duhet të heqin dorë dhe atyre për të cilat duhet të luftojnë fort për të arritur majat. A i dinë se duhet ti kenë këto aftësi maturantët dhe janë përpjekur prindërit, familja dhe shoqëria për ti ndërgjegjësuar mbi peshën e tyre në sukses? A e dinë ata që po nuk riaktivizuan veten duke kërkuar dhe patur një vetëbesim të lartë mund të kesh shumë benefite edhe duke u shkolluar dhe punuar në Shqipëri. A e dinë këta maturantë se duhet të jenë dhe ecin si më sipërpërmenda për të qenë të sukseshëm dhe për këtë nuk përbën ndonjë diferencë të madhe se ku i kryen studimet por se kush është pesha sociale, karizma, intelekti, autoriteti yt profesional dhe personal si dhe vlerat e tua të gjithanshme dhe sesi i vendos dhe pozicionon ato përballë konkurencës dhe tregut për të dalë triumfues . A e dinë maturantët se po nuk arriten të fitojnë luftën me veten e tyre, me anën emocionale, me turpin, me ndrojën, me rehatinë, ngrohtësinë, komoditetin dhe dembelizmin e menyrës sesi janë rritur dhe shkolluar, nuk do ta fitojnë dot luftën me të tjerët dhe me tregun e punës jo vetëm në Shqipëri por kudo. A e kanë informacionin e duhur maturantët se në një vend perëndimor kostoja e shkollimit dhe jetesës është shumë e lartë dhe duhet paralelisht me shkollën të punosh për mos të rrenuar financat e familjes. A e dinë maturantët kur të rikthehen mund të zhgënjehen pasi të mësuarit me një mentalitet tjetër dhe një menyrë jetese të ndryshme si dhe vështirësia e përshtatjes nga shkëputja sidomos në mungesë të njohjeve dhe meritokracisë në punësim, mund ti ushqejë me mllef dhe pendesë për vendimin e marrë për tu shkolluar jashtë. A e dinë maturantët se përpara se të zgjedhin duhet të informohen me kujdes dhe gjejnë hapësira dhe menyra për të ditur dhe bërë zgjedhjen e duhur. A e dine ata qe në shume vende europiane nuk lejohen të punësohen në administratën publike pas shkollimit si dhe diskriminimi dhe etiketimi ndonjëherë bëhet shkas dhe preteks për mosdhënie mundësie punësimi dhe zvogëlim shansesh promovimi. A e dinë maturantët se statistikat më të fundit që paraqiten sidomos nga Europa tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e të diplomuarve shqiptare punojnë jashtë dhe nën profilin e tyre të shkollimit duke bërë punë të rëndomta ndonëse për nivelin e atjeshëm të jetesës të mirëpaguara. Maturantet do të duhet të dinë se shkollimi në një vend perëndimor ti hap dyert e karrierës por kjo gjë pjesërisht funksionon në Shqipëri. A e dinë maturantët se nr më i madh i drejtuesve dhe ceo-ve të kompanive më të mëdha në Shqipëri ose janë të huaj të ardhur në Shqipëri nga kompania mëmë të superpaguar në raport me mesataren e pagës të së njëjtit pozicion në treg ose janë Shqiptar të shkolluar pak, për mos të thënë me diploma universitetesh private të mbyllura. Pavarësisht mungesës se informacionit të maturantëve nga të nisen për të bërë zgjedhjen e duhur apo njohurive mbi aftësi që duhet ti përmirësojnë dhe zhvillojnë për të spikatur, menyra sesi lexohet kjo tendencë nga pikëpamja profesionale dhe kërkesë ofertës lidhet me mungesën e besimit tek universitetet shqiptare, besim për të cilin nevojitet angazhimi dhe kontributi i të gjithëve që të rikthehet, për mos të humbur dhe larguar nga vendi intelektualet dhe shkencëtaret e të nesërmes.
Shtuar më 01/09/2017, ora 19:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori