Pse i vëmë flakën qytetërimit?!
Ka disa kohë që Eco Tirana ka ndërmarrë një nismë për diferencimin e plehrave në vend. Ata po përpiqen të vënë në jetë këtë projekt në Tiranë. Gjithsecili duhet të bëjë diferencim të mbetjeve që në banesë, të përdorë qese për plehrat e riciklueshme dhe qese të ndryshme për ato të pariciklueshme.

Pastaj qytetarët duhet t’i hedhin qeset në dy kazanë të veçantë, që janë me ngjyrë jeshile dhe tjetri blu, të cilët ndahen në ato për mbeturina të ricklueshme dhe të pariciklueshme.

Bashkia e Tiranës dhe e Veronës kanë firmosur më herët një memorandum dhe është krijuar një ndërmarrje e përbashkët, me pjesëmarrjen edhe të sektori privat, që po realizon pastrimin efikas të metropolit shqiptar, kjo kompani njihet si Eco Tirana.

Përvoja italiane e Bashkise së Veronës ka sjellë këtë projekt për ndarjen e mbeturinave të cilin Bashkia e Tiranës është zotuar ta çojë përpara, por e vetme ajo s’mund ta implementojë, asaj i duhet me patjetër edhe ndihma e qytetarëve

Ka shumë qytetarë që e respektojnë këtë gjë, por ka nga ata të cilët as që duan t’ja dinë, dhe as nuk e marrin mundimin për të bërë një përpjekje. Thjesht për të futur plehrat në dy qese të ndryshme. Por pa bashkëpunimin e qytetarëve të Tiranës kjo gjë nuk mund të jetë e mundur. Njerëzit jo vetëm që nuk i diferencojnë plehrat, dhe për këtë nuk po marrin asnjë ndëshkim, por kanë arritur deri në këto veprime, që padyshim janë të dënueshme.

Çfarë presim ne, që të vijë Bashkia të na pastrojë shtëpinë? Apo të vijë të na bëjë diferencimin e plehrave? Kjo është e turpshme dhe nuk na nderon aspak ne si qytetarë. Në vend që të sillemi si të tillë, po bëjmë të kundërtën.

Japim vetëm një shembull të vogël. Në Amerikë çdokush dënohet nëse kur ka borë nuk hedh kripë para oborrit të shtëpisë, sepse kështu rrezikon të vritet postieri kur sjell postën në mëngjes. Pra ai vendi i standarteve të mëdha disa puna ja lë qytetarit ti bëjë. Sepse kështu funksionon bota.

Po ne çfarë bëjmë? Pse mungon fryma e komunitetit në Shqipëri? Prej 25 vitesh tranzicioni prodhoi në vendin tonë një degradim total të ndjesisë “së të përbashkëtës”. Është pothuajse universale në vendin tonë që për çdo gjë fajin e ka Shteti.

Rasti i kazanëve të diferencuar në Tiranë është një moment ku mund të shihemi në pasqyrën tonë. Hapësirat publike nuk janë të huaja. Janë tonat dhe një qytet I pastër, me qytetar që sillen si qytetar do na sigurojë ne një jetë më të mirë. Kryetarët e Bashkive, Kompanititë e ndryshme ikin dhe vinë. Qyteti dhe ne jemi gjithmonë aty. Gjithmonë nëse do kemi shëndet./Albeu.com/
Shtuar më 09/02/2017, ora 20:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori