Veliaj në Rrogozhinë: Vetëm bashkë mund të vazhdojmë të çojmë përpara projektet për zhvillimin e qytetit

Turi elektoral i Erion Veliaj vijoi në Rrogozhinë, ku garon për një tjetër mandat në krye të Bashkisë Edison Memolla.

Veliaj tha se falë punës së përbashkët me qeverinë Rrogozhina sot është transformuar, ndërsa theksoi se kjo do jetë fushata që do mbahet mend për kontributin ndaj mjedisit në çdo takim të zhvilluar.

“Sapo mbollëm disa pemë në një park që bëhet gjithmonë e më i bukur, gjithmonë e më i gjelbër. Shoh pemët që mbollëm me Kryeministrin, shoh që kanë dalë gjethet e para, sythet e parë dhe një gjë ka rëndësi: Edhe ata pak veta që ndoshta për arsye ideologjike vazhdojnë me ata të tjerët, kur të mbarojë fushata, do shohin që ajo pema ka çelur dhe ajo hija do jetë aty dhe për ata, ai gjelbërim do jetë aty edhe për ata, ky oksigjen do u shërbejë dhe atyre se sa herë që Partia Socialiste merr një punë në dorë e çon deri në fund, e çon përpara”, deklaroi ai.

“Edi Rama ka dhënë dorën më të madhe që Rrogozhina të ecë përpara, që ato 8 shkolla të realizohen, ato rrugë të bëhen, ai ujësjellës të mbarojë. Ndaj bashkimi bën fuqinë dhe ne të majtët funksionojmë me parimin, një për të gjithë dhe të gjithë për një dhe kur Edisoni, kur Etjeni, kur skuadra jonë, kur Edi Rama ishin për Rrogozhinën, sot ka ardhur koha të themi: Edhe Rrogozhina do jetë për Edisonin, për Shpatin, për Partinë Socialiste e për Edi Ramën, sepse një për të gjithë e të gjithë bashkë për një,” shtoi Veliaj.

Sot, tha Veliaj, – kemi një Rrogozhinë e cila nuk është një xhep që njerëzit e harronin, apo ku ti kaloje për 30 sekonda dhe i kushtoje vëmendje vetëm tabelës. “Sot në Rrogozhinë ka jetë, ka djem e vajza që dalin me nota të shkëlqyera, ka shkolla më të mira, se ndoshta disa nga shkollat e Tiranës, ka ujë 24 orë në shumicën e njësive administrative, por puna nuk duhet të ndalojë. Unë besoj që ditët më të mira për Kavajën, për Tiranën ne i kemi përpara” vijoi ai.

 


Shtuar 1.05.2023 20:05