PS të votojë Gjykatën Administrative
Lëvizja Socialiste për Integrim konstaton se ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik të vendit, në një vit kur kriza ekonomike e financiare gjunjëzoi dhe tronditi ekonomi te fuqishme europiane e botërore, ka qënë një nga arritjet më të mëdha për vitin që kaloi, duke treguar që reformat e kryera kanë qënë tejet efikase, e duke dhënë garanci të sigurta e të mëtejshmë për 2011.

“E në fakt, viti 2011, është një vit tejet i rëndësishëm. Është viti në të cilin duhet të vazhdojnë me ritme të shpejta të gjitha reformat europianizuese në vend. Prandaj qytetarët shqiptarë, kërkojnë nga klasa politike që të jetë në të njëjtën linjë me aspiratat e tyre”, u shpreh sekretari për marrëdhëniet me publikun Ardit Çela. Për fat të keq, vijoi ai, vitin që kaloi, u vërejt mungesa totale e kontributit të opozitës për të bashkëpunuar.

“Nga opozita u ndoq një politikë bllokuese, dhe në mungesë të plotë të alternativave. Ndërkohë që këtë vit, është e domosdoshmë një qasje tjetër nga ana e saj, e sidomos kur bëhet fjalë për reforma të rëndësishme. Opozita duhet të investohet pozitivisht në të mirë të interesave të vendit. Votimi dhe ngritja e Gjykatës Administrative është një nga hapat e parë që duhen ndërmarrë dhe për të cilat opozita duhet të ndërrojë mendje, pasi është një kërkesë e vetë biznesit, e vetë shoqërisë, por është njëkohësisht edhe një ndihmë e aleatëve tanë strategjikë e cila nuk mund të refuzohet”, insistoi Çela.

Funksionari i LSI-së mendon se fillimi i punës për reformën zgjedhore, si një kërkesë e Parlamentit Europian është një tjetër hap i cili duhet hedhur, dhe për të cilin opozita duhet të japë konsensusin e saj, pasi në kundërshtim nga sjellja e vitit të kaluar, tashmë ka ardhur koha për t’u treguar seriozë e të përgjegjshëm.
Shtuar më 09/01/2011, ora 13:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori