PS të shfaqet me përgjegjësitë e një opozite evropiane
Luan Rama
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama deklaroi se tryeza e iniciuar nga kryetari i PD-së dhe në të cilën u ftuan partitë parlamentare dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të nisur procesin e diskutimit dhe të debatit për të realizuar reformën zgjedhore, është një moment i rëndësishëm dhe shprehje e vëmendjes dhe e angazhimit real për të realizuar më në fund këtë reformë e cila është e lidhur me procesin më të rëndësishëm që dëshmon cilësinë dhe stabilitetin e funksionimit demokratik të vendit, që janë zgjedhjet e lira, korrekte dhe të ndershme.

“LSI mori pjesë ne tryezën e thirrur nga Z. Berisha, me angazhimin për të qenë pjesë e kontributit, për të bërë të mundur realizimin e reformës zgjedhore. Mori pjesë me përgjegjshmërinë e një force politike serioze që është e gatshme të përballojë sfida të tilla të rëndësishme, po nga ana tjetër mori pjesë edhe sepse prej kohësh vetë LSI ka insistuar dhe ka këmbëngulur në realizimin e reformës zgjedhore si një reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, u shpreh Luan Rama.

Sipas tij, prania në këtë tryezë e kreut të PS-së, u perceptua si një shenjë pozitive, si një sinjal që edhe socialistët më në fund po e kuptojnë domosdoshmërinë e pjesëmarrjes dhe të kontributit pozitiv për realizimin e reformës zgjedhore, paçka se inkonseguencat në qëndrimet e tyre janë bërë tashmë një fenomen i zakonshëm.

“Domethënë, një ditë më parë, një përfaqësues i lartë i lidershipit të PS-së tha që tryeza e Berishës është provokim dhe që nuk do të merrnin pjesë, ndërkaq kryetari erdhi duke sjellë në vëmendjen e pjesëmarrësve në tryezë një të ashtuquajtur ofertë për kapërcimin e situatës, por nga ana tjetër, kjo ofertë u shoqërua me kushte të njohura dhe për të cilat lidershipi socialist, nuk është se po ofron mundësinë e uljes në tryezën e dialogut apo të bashkëpunimit për të kapërcyer dhe problemet e hapura prej tyre që pas zgjedhjeve të kaluara”, nënvizoi Rama. Qëndrime te tilla groteske apo që ngjajnë me një parodi, shtoi ai, në fakt janë shenjë e papjekurisë politike nga njëra anë e lidershipit socialist, dhe nga ana tjetër janë shenjë e mungesës së respektit për vetë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e PS-së.

“Gjithsesi kjo është çështje e tyre. E rëndësishme është të kuptojnë që duhet të shfaqen me përgjegjësitë e një opozite evropiane. Është e rëndësishme të kuptojnë që pjesëmarrja dhe jo largimi, që angazhimi real dhe jo demagogjia, që kontributi real dhe jo përpjekjet për ta bllokuar procesin, janë ato që duan qytetarët shqiptarë, janë ato që duhet të bëjnë në fakt të gjithë aktorët seriozë dhe të rëndësishëm në vend”, u shpreh Rama. (albeu.com)
Shtuar më 23/10/2010, ora 15:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori