PS, peticion kundër Nanos
Albeu.com
Nisin reagimet e para nga baza e PS-së, për humbjen e zgjedhjeve të 3 korrikut . 200 socialistë të Mamurrasit, kërkojnë zgjedhjet e kryetarit të PS-së, sipas parimit një anëtar një votë.Rreth 200 socialistë të Mamurrasit kanë firmosur një peticion, ku kërkojnë mbledhjen e KPD-së dhe kongresit të jashtëzakonshëm, për të zgjedhur kryetarin e partisë, sipas parimit një anëtar-një votë. Në këtë peticion drejtuar dje, Partisë Socialiste në qendër thuhet se, ky grup socialistësh të këshillit zonal Mamurras-Kurbin, shprehin indinjatën e tyre për humbjen e zgjedhjeve parlamentare. “Ndjehemi të braktisur nga qendra dhe të fyer nga përpjekjet e ndonjë kuadri, për ta lënë fajin e humbjes tek baza e partisë. Ne humbëm, sepse votat e të majtës u shpërndanë rrugëve, pa inventar dhe askush nuk mori përgjegjësinë politike për administrimin e tyre”,- thuhet në këtë peticion të socialistëve të Mamurrasit. Baza e dha votën kurse qendra e humbi atë rrugës me papërgjegjshmëri, shkruhet në peticion. “Peshku qelbet nga koka, jo nga bishti. Ne bëjmë thirrje për të dalë me nder nga kjo humbje e turpshme që penalizon 500 000 socialistë, në të gjithë Shqipërinë. Mos e mbani me ëndrra elektoratin. Ju na kthyet Sali Berishën dhe bandat e tij, që kanë filluar të qarkullojnë lirshëm me targa të huaja, duke festuar fitoren në kurrizin tonë”,- thonë në këtë letër-peticion këta socialistë të Mamurrasit, të cilët kanë vënë emrat dhe firmat e tyre bashkëngjitur dokumentit të dorëzuar në kryesinë e PS-së. Ata shprehen prerë; “të thirret KPD-ja dhe Kongresi i Jashtëzakonshëm. Partia Socialiste të bëjë zgjedhjet e reja me parimin një anëtar-një votë, duke filluar nga kryetari. Ne u bëjmë thirrje të gjithë këshillave zonalë në mbarë Shqipërinë, për tu bashkuar në kërkesën tonë. Të shpëtojmë Partinë Socialiste një herë e mirë nga sherret për karrige dhe nga ata që duan vetëm për interesat e tyre”,- shprehen socialistët e Mamurrasit në peticion. Kjo është kërkesa e parë kaq e prerë, që i drejtohet kryesisë së PS-së, ndërkohë që baza ka reaguar edhe në rrethe të tjera edhe pse jo, në këtë formë. Nga ana tjetër, drejtues të PS-së, anëtarë të kryesisë së saj, kanë folur ditët e fundit për fillimin e analizës në parti, pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut, por ende nuk është mbledhur asnjë forum për ta bërë një gjë të tillë. Madje, kryetari socialist, Fatos Nano, i ka lënë të vetëm anëtarët e kryesisë, të cilët japin e marrin pothuaj çdo ditë në selinë e PS-së, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Gramoz Ruçi, i cili duket se ka marrë totalisht në dorë drejtimin e PS-së. Ndërkohë, kërkesa për thirrje e kongresit të jashtëzakonshëm, ka ardhur një ditë më parë edhe nga ish-presidenti Rexhep Meidani, sipas të cilit, tashmë është një nevojë absolute, për të bërë një analizë tërësore, mbi këtë humbje të madhe zgjedhore. Sipas Meidanit, me kryetarin aktual, Nano, edhe më tej në krye, PS-ja nuk duket se e ka të lehtë të rikthehet në pushtet, madje, ka thënë ai, në një intervistë për “Shekulli”-n, mund të rrezikojë, pa ndërmarrë operacione serioze reformuese edhe një tkurrje permanente partiake dhe elektorale, nën “atraksionin” apo “lojën” më të freskët dhe energjike të LSI-së apo të aleatëve të tjerë të majtë.
Shekulli
Shtuar më 24/07/2005, ora 18:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori