PS nis "jeten" parlamentare, replika Ruci-Patozi
Albeu.com
Partia Socialiste, është rikthyer mbrëmjen e shkuar në Kuvend, seancë e cila është shoqëruar me debate të ashpra. Me pjesëmarrjen e mbrëmshme, opozita i rikthehet përfundimisht Kuvendit, raporton Start.Kreu u grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi u shpreh gjatë seancës, se PS nuk e kishte bojkotuar Parlamentin, por ishte kriza që e kishte detyruar të ndërmerrte një vendim të tillë.

“Ne nuk e bojkotuam Parlamentin për ta futur vendin në krizë, por kriza politike që ka mbërthyer vendin prej 9 muajsh na detyroi të bojkotonim Parlamentin. Tani ne jemi sërish këtu për të shprehur vullnetin dhe angazhimin tonë për zgjidhjen e krizës. Ne jemi gati të arrijmë marrëveshjen dhe të kontribuojmë për të gjetur zgjidhje në të mirë të shqiptarëve, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme”, tha Ruçi.

Gjatë fjalës së tij, kreu u grupit kuvendor socialist ka kërkuar nga maxhoranca që të respektohet afati dyjavor për zgjidhjen e krizës. “Të gjithë ne bashkë duhet të kuptojmë qartë se afati prej 2 javësh ka një karakter ultimativ për shtetin tonë të përbashkët. Kjo do të thotë se moszgjidhja”, tha ai.

Në reagimin e tij, kreu u grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se maxhoranca ka dhënë ofertat e saj ligjore për hetimin e zgjedhjeve. “Përshëndes rikthimin e PS-së në Parlament. Ky rikthim i shërben normalizimit të jetës së Kuvendit të Shqipërisë, pasi rregulli e do që opozita të ketë rolin e saj të pazëvendësueshëm. Por, prishja e ekuilibrit nuk ka ndodhur për arsye parimore, por për një taktikë politike të udhëhequr e ideuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Ofertën tonë e keni në tavolinë, tani e përgjithmonë, jemi të hapur për çdo lloj transparence që nuk dhunon e kapërcen Kushtetutën e ligjet e vendit. Brenda kësaj kornize është një hapësirë e pamatë për marrëveshje e mirëkuptim. Të bashkëpunojmë për integrimin e vendit”, tha Patozi.
Shtuar më 25/05/2010, ora 08:25
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori