PS ne greve, Nano drekon me Bashen
Albeu.com
Në kohën kur kriza politike është në kulmin e saj dhe 202 socialistë ndodhen në ditën e shtatë të grevës së urisë, rishfaqet në skenën shqiptare Fatos Nano dhe bashkëshortja e tij Xhoana, shkruan sot gazeta Shekulli.
Për ironi të fatit, ish-kreun e PS-së nuk e gjejmë pranë tendës së grevistëve por vetëm pak minuta larg saj, në një restorant në katin e 20-të të një pallati të sapondërtuar. Ai dhe bashkëshortja, janë në shoqërinë e një miku të ri, ministrit të Brendshëm Lulzim Basha

Takimi ka nisur dje rreth orës 13.30 në një nga restorantet që ndodhet përballë godinës së Radio Televizionit Shqiptar, në rrugën "Papa Gjon Pali II" dhe ka zgjatur disa orë. Ata kishin njoftuar më parë për këtë drekë dhe restoranti kishte marrë të gjitha masat që të ishte sa më diskrete. Pasi ka nisur takimi midis Nanos dhe Bashës, ishte tepër e vështirë që të ngjiteshe në restorantin që ndodhet në katin e 20-të, ku po qëndronin dje dy politikanët.

Menaxherët e lokalit kishin marrë të gjitha masat për të vendosur çdo klient të rastësishëm në tavolinat larg tryezës ku ndodhej Nano dhe Basha. Sapo të zbrisje ashensorin e katit të 20- të të pallatit shumëkatësh, punonjësit e restorantit dhe personat që kujdeseshin për sigurinë e ministrit të Brendshëm, të përcaktonin vendin se ku duhej të ulej.

Ministri Lulzim Basha dhe ish- kryeministri Fatos Nano, ishin ulur në pjesën jugore të restorantit, ndërkohë që nuk lejohej që të ulej person tjetër në tavolinat që ndodheshin pranë tavolinës ku ata po drekonin.

Gjithashtu personeli i restorantit nuk të lejonte që të bëje dhe fotografi, duke u justifikuar se është i ndaluar fotografimi nga ambientet e restorantit. Mësohet se dy protagonistët e takimit të djeshëm, kanë qëndruar bashkë për disa orë.

Pak ditë më parë ish-kreu i PS-së, Fatos Nano ka darkuar në Vjenë me kryeministrin Berisha ku kanë diskutuar për krizën politike dhe kërkesat e Partisë Socialiste. Pas takimit Berisha ka shprehur edhe mundësinë që Nano ti bashkohet PD-së.

I pyetur nga mediat ai ka pohuar se Fatos Nano e ka derën e hapur në PD. Takimi i djeshëm me Lulëzim Bashën duke se po e afron edhe më shumë Fatos Nanon me kampin e djathtë.

Ne mjedisin politik te Tiranes ka zera se ai mund te jete kandidati i PD per presidencen e ardhshme.
Shtuar më 08/05/2010, ora 17:02
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori