PS mohon se fletët e votimeve po mbahen në zyrat e saj në Bulqizë
Partia Socialiste, Dega Bulqizë, ka përgënjeshtruar lajmin e ish-deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, i cili më herët kishte thënë se fletët e votimit po mbahen në zyrat e Partisë Socialiste, dega Bulqizë, dhe jo në mjediset e KZAZ.

Ja reagimi i Partia Socialiste, Dega Bulqizë:

Pa dashur të cenojmë heshtjen zgjedhore të së dielës, më 30 qershor, si dhe në respekt të detyrimeve ligjore dhe morale që kemi përgjatë këtyre dy ditëve, për të mos publikuar asnjë mesazh orientues për votuesit e Bashkisë tonë rreth këtij procesi, jemi të detyruar të sqarojmë opinionin publik rreth një publikimi të rremë dhe dashakeq që përfaqësues të opozitës kanë shpërndarë përmes rrjeteve sociale, duke synuar dëmtimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Të shqetësuar për mesazhin e publikur nga ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Përparim Spahiu, se fletët e votimit po mbahen në zyrat e Partisë Socialiste, dega Bulqizë, dhe jo në mjediset e KZAZ, informojmë opinionin publik dhe të gjithë autoritetet shtetërore se ky është një dezinformim, i cili synon dëmtimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Bëjmë me dije se automjetet e treguara sikur brenda tyre mbahen fletët e votimit janë një mashtrim që bëhet nga z.Spahiu. Lidhur me këtë gjë, ftojmë të gjitha autoritetet ligjzbatuese që të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe të qartësojnë opinionin publik rreth së vërtetës në lidhje me këtë denoncim të rremë.

Në respekt të votës së lirë dhe të çdo qytetari që nesër do t`i drejtohet kutive të votimit, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë maturi dhe përgjegjshmëri në mesazhet e tyre publike që të mos dëmtojnë procesin zgjedhor.
Shtuar më 29/06/2019, ora 12:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori