Progres-raporti i KE, Xhaçka: Shqipëria gati të ulet në tryezën e bisedimeve me BE-në

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ka komentuar proges-raportin e Komisionit Europian të publikuar sot.

Xhaçka ka theksuar rezultatet për të cilat KE ka thënë se janë pozitive dhe më tej u shpreh se Shqipëria është gati të ulet në tryezën e bisedimeve me BE-në.

“Të gjitha arritjet janë provë e qartë e punës dhe vullnetit të qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në raportin e ODHIR vlerësohet se reforma elektorale u krye në përputhje me rekomandimet e ODHIR. Sigurisht ka vend për përmirësim të mëtejshëm.  E rëndësishme është se akuzat po hetohen në mënyrë që të mos mbetemi në rrafshin e akuzave.

Jemi të vetëdijshëm që ka ende punë por besoj se ky raport është konfirmim për punën e thellë për administratën. Raporti ka gjetje edhe për ekonominë dhe mënyrën si është përballur nga qeveria tërmeti dhe pandemia. Ai konfirmon që ekonomia ka rifilluar ringritjen që në gjysmën e dytë të vitit 2020. Kjo lidhet me punën e këtij dikasteri.

Ndërkohë që jemi gati për të hedhur hapin e radhës në procesin e integrimit, ndajmë të njëjtin qëndrim që konferenca duhet të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Çdo vonesë ka ndikim negativ në besueshmërinë e vetë unionit. Angazhimi ynë do të fillojë për të jetësuar premtimin e rikonfirmuar për perspektivën europiane të rajonit tonë. Shqipëria duhet të ulet në tryezën e bisedimeve me BE, brenda këtij viti”, tha Xhaçka./albeu.com

 

 


Shtuar 19.10.2021 18:52