PS kerkon doreheqjen e Ilir Metes
Albeu.com
Partia Socialiste i kërkoi zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Ilir Meta të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie pas arrestimit të një zyrtari të kësaj ministrie.Deputeti Taulant Balla tha në një konferencë për shtyp se shtetasi Almir Rrapo u arrestua të premten e kaluar brenda në ambasadën amerikane teksa aplikonte për vizë.

"I kërkojmë sot Ilir Metës të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie për këtë incident të rëndë që ka prekur Ministrinë e Jashtme. Ky skandal i turpshëm bëhet edhe më i thellë me reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit ky individ na paska qenë marrë në punë si sekretar personal i Ministrit brenda të gjitha rregullave dhe me konkurs, kur në fakt nuk ka patur asnjë konkurs. Fakti që ky person është i katërti në listën e të arrestuarve nga radhët e LSI e shton edhe më shumë këtë përgjegjësi", u shpreh Balla.

Sipas tij arrestimi është shprehja më e qartë e krizës së qeverisjes dhe e korrupsionit . "Në fakt kriminelët nuk janë vetëm në radhët e ndihmësave, kriminelët janë të infiltruar në të gjitha nivelet e kësaj qeverie të ngritur mbi përdhunimin e votës së lirë, korrupsionin dhe plaçkitjen e pasurisë së shqiptarëve. Të kërkuar nga drejtësia, të pagjykuar, por me vepra penale të kryera janë edhe ministrat e Sali Berishës: Lulëzimi dhe Fatmiri", pohoi deputeti.
Shtuar më 05/07/2010, ora 13:10
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori