PS: Jo rezolute boshe, por masa ne ndihme te banoreve
Albeu.com
Një ditë pas miratimit të rezolutës për përmbytjet në Shkodër nga Kuvendi, ka reaguar Partia Socialiste, e cila e quajti atë një rezolutë boshe. Selia rozë njëherësh ka kërkuar që qeveria të marrë masa konkrete për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në Shkodër."Ne sot i kërkojmë Sali Berishës që të mos mjaftohet me rezoluta boshe në seanca të quajtura të jashtëzakonshme edhe pse Kushtetuta i përcakton ndryshe, por të fillojë urgjentisht me marrjen e masave konkrete për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura", u shpreh deputeti, Ilir Beqja. Ai kërkoi që qeveria të fillojë menjëherë me vlerësimin e dëmeve me ekipe profesionistësh, të bëjë ndryshimet e nevojshme në ligjin e buxhetit të shtetit për të siguruar fondet për dëmshpërblimin dhe të fillojë asistencën e menjëhershme financiare për familjet. Në fund të fjalës së tij Ilir Beqja deklaroi se Sali Berisha duhet të heqë dorë ga selektiviteti politik në dhënien e ndihmave.

Në seancën e jashtëzakonshme për përmbytjet në veri të vendit, dje Kuvendi ka miratuar një rezolutë për "Përmbytjen në qarkun e Shkodrës", me 71 votat e deputetëve të maxhorancës. Sipas kësaj rezolute, Kuvendi i kërkon qeverisë që të ndërhyjë me kapacitete njerëzore dhe financiare në situatën e krijuar në Shkodër. Gjithashtu, i kërkohet qeverisë që të bëjë vlerësim real në llogaritjen e dëmeve, me transparencë në zonat e prekura, duke mundësuar edhe dëmshpërblimin.
Shtuar më 19/01/2010, ora 19:53
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori