PS: Ja përse abstenojmë ligjin e pronave
Një memo e brendshme që u është shpërndarë të gjithë pjesëtarëve të grupit parlamentar socialist u argumenton deputetëve motivet për të cilët ligji për pronat që do të votohet në seancë plenare duhet abstenuar.


Përmes një analize të ndarë në tre pika kryesore, deputetëve u shpjegohen mangësitë e ligjit, ashtu si dhe pikat ku ka vend për dyshime për mungesë transparence nga ana e qeverisë. Dokumenti, që mban firmën e deputetes Shegushe Ligori, rendit gjatë analizës një seri argumentesh kundër ndryshimeve, siç është ai që i kalon qeverisë të drejtën e vlerësimit të çmimit të pronave, në një çast kur deri tani ka qenë kompetencë e parlamentit. Një tjetër argument kundër ligjit të ri ka të bëjë përfshirjen në vlerësimin e pronës të kritereve panoramike dhe gjeografike. Sa i përket shtyrjes së afatit të krijimit të fondit të kompensimit, në dokument nënvizohet se: “Sërish kemi të bëjmë me një paaftësi totale të qeverisë, pasi pa mbaruar procesi i dhënies së titujve të pronësisë nuk mund të përfundojë brenda afatit të përcaktuar krijimi i këtij fondi”, raporton Gazeta Shqiptare.

Memo e plotë e grupit të PS-së
Sugjerohet: Abstenim
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”.
Argumentimi
Ky projektligj sjell ndryshime në tre drejtime si më poshtë: Ndryshimi i metodologjisë së llogaritjes së vlerës së pronës që kompensohet. Deri tani, metodologjia e zbatuar ka qenë e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Tashmë me këto ndryshime metodologjia hartohet nga Këshilli i Ministrave. Në projektligj përcaktohet se vlera e pronës që kompensohet do të nxirret bazuar në çmimin e tregut, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj, sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Me këtë përcaktim, përpiqen të rendisin disa kritere mbi të cilat do të mbështet metodologjia, porse me hartimin e saj nga Këshilli i Ministrave mungon transparenca për grupet e interesit.
Ndërkohë thuhet se, vlera e pronës do të përcaktohet nga çmimi i tregut e dy tregues të tjerë që janë komponentë të çmimit të tregut. Problemi qëndron në rastet kur nuk ka treg toke, pra nuk ka dhe çmim tregu, si llogaritet vlera e pronës që kompensohet?! Kjo i lihet të përcaktohet nga metodika. Në rastin konkret duhet të parashikohen përllogaritje, të cilat ndryshimet ligjore nuk i saktësojnë. Hartimi i kësaj metodike nga qeveria në dukje sjell dhe shqetësimin e një “konflikti interesi”, pasi qeveria përcakton fondin e kompensimit të ish-pronarëve dhe qeveria harton dhe metodikën që do të bëjë vlerësimin e pronës që do të kompensohet!
Në Komisionin e Ligjeve opozita kërkoi të dëgjoheshin dhe shoqatat e ish-pronarëve të cilët ishin dakord që metodika aktuale të ndryshohet, por ajo të mos hartohet nga qeveria por në konsultim me to nga Parlamenti. Ata kërkuan gjithashtu që, në vlerësimin e pronës të përfshiheshin dhe dy kritere të tjera si ai panoramik dhe gjeografik. Në komision ne mbajtëm të njëjtin qëndrim në përkrahje të ish-pronarëve. Mazhoranca nuk e mori parasysh. Së dyti, shtyrja e afatit të shqyrtimit të rreth 7300 kërkesave nga AKKP për të marrë vendimet përkatëse deri në datë 30/04/2014, si dhe shtyrjen e afatit për krijimin e fondit të kompensimit të ish-pronarëve po deri në të njëjtën datë. Natyrisht që ky ndryshim tregon paaftësinë e kësaj qeverie për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, porse këtë kosto nuk mund ta paguajnë ish-pronarët. Prandaj natyrisht që ky afat duhet të shtyhet. Shqetësimi qëndron se as me ndryshimin e këtij afati ky problem nuk merr zgjidhje nisur nga rritmi i shqyrtimit të kërkesave deri tani në AKKP. Kështu mjafton të përmendim këtu faktin që AKKP shqyrtoi në vitin 2011 rreth 1500 kërkesa sipas informacionit zyrtar dhe kupton që kemi të bëjmë me një farsë.
Natyrisht që ka nevojë jo thjesht për shtyrje të kohe për shqyrtimin e kërkesave, por për marrjen e masave institucionale, organizative e financiare për të rritur kapacitet e këtij institucioni, masa të cilat nuk parashikohen qartë dhe konkretisht as në draft strategjinë e hartuar nga Ministria e Drejtësisë për zgjidhjen e problemeve të pronësisë, detyrë kjo e ngarkuar për qeverinë shqiptare dhe nga raport progresi i BE-së. Sa i përket shtyrjes së afatit të krijimit të fondit të kompensimit sërish kemi të bëjmë me një paaftësi totale të qeverisë, pasi pa mbaruar procesi i dhënies së titujve të pronësisë nuk mund të përfundojë brenda afatit të përcaktuar krijimi i këtij fondi. Kjo pasi ai krijohet me pronat shtetërore që mbeten pasi të përfundojë ky proces. Së treti, krijimi i një drejtorie koordinative pranë Ministrisë së Drejtësisë për të bashkërenduar punën e rreth 8 institucioneve që japin tituj pronësie. Kjo drejtori tashmë është krijuar me ndryshimet e bëra në organikën e Ministrisë së Drejtësisë, të miratuar nga Kryeministri në fundin e vitit që shkoi. Krijimi i kësaj drejtorie koordinuese është një nga kërkesat e raport progresit të BE-së. /albeu.com/
Shtuar më 10/05/2012, ora 14:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori