PS i kundërpërgjigjet PD për sulmet ndaj policisë
Partia Socialiste, me anë të deputetes Blerina Gjylameti është ndalur në sulmet e Partisë Demokratike ndaj Policisë së Shtetit, ku sipas saj, kjo forcë synon të përbaltë imazhin e uniformave blu.

"Sulmet e Partisë Demokratike ndaj Policisë së Shtetit janë kthyer në sulme të përditshme, pavarësisht aksioneve të suksesshme; të cilat kanë çliruar Lazaratin nga prodhuesit dhe trafikantët e drogës; kanë ulur numrin e aksidenteve rrugore; kanë rritur zbulueshmërinë e krimeve.

Janë sulme që synojnë të përbaltin imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit, që nuk po bën asgjë tjetër veçse po zbaton ligjin, në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Pushtetarët e djeshëm të rrënimit nuk e kanë dot sot moralin opozitar për të folur për shtet ligjor e për barazi para ligjit, sidomos në vigjilje të përvjetorit të 21 janarit.

Ndërkohë, shqiptarët e kanë ende të freskët se si kishte degraduar Policia e Shtetit për tetë vjet rresht. Sesi Lazarati sfidonte shtetin, ndërkohë që Shqipëria zhytej në listat e zeza të vendeve që prodhonin e trafikonin drogë.

Megjithatë, opozita ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vetë, por Partia Socialiste e inkurajon Policinë e Shtetit për të vazhduar luftën e nisur ndaj krimit, trafikut, informalitetit.

Ne bashkohemi me të gjithë opinionin publik kombëtar e ndërkombëtar që çmon ndryshimet dhe rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit. Të vetëdijshëm se vendi ynë nuk është ndryshe nga vendet e tjera të Europës dhe se në Shqipëri ka mjaft probleme që lidhen me shkeljen e ligjit, ne jemi të bindur se duke mbështetur pa kursim Policinë e Shtetit dhe duke mos i politizuar aksionet e saj, problemet mund të lehtësohen dhe mjedisi më i sigurtë për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë e të huaj do të jetë realitet i përditshëm", perfundon ajo. /albeu.com/
Shtuar më 20/01/2015, ora 15:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori