PS: Harxhin e dëbuan nga UNMIK
Albeu.com
Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj dhe deputetja socialiste Arta Dade, u përplasën ashpër dje në lidhje me një emër, Edith Harxhin. Dje në parlament janë dëgjuar akuza për paaftësi, mashtrime, dhe gafa diplomatike. Madje sherri arriti deri në batuta ironike kur ministri i Punëve të Jashtme tha duke qeshur se: është një histori e vjetër simpatie mes meje dhe zonjës Dade.Kush të shan të do. Duke e nisur me kritikat për propozimet e katër diplomatëve nga qeveria, Dade tha dje në Kuvend, se Partia Socialiste është e vendosur të kundërshtojë deri në fund kandidaturën e Edith Harxhi për ambasadore në SHBA. Madje ajo akuzoi Harxhin se ka abuzuar me fondet e UNMIK-ut kur ishte e punësuar aty. Më pas akuzat e socialistes përfshinë dhe Ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj, për të cilin Dade kërkoi rishikimin e pozicionit të tij në qeveri me pasojë shkarkimin. “I kërkoj kryeministrit, të rishikojë pozicionin e Mustafajit në qeveri”, - tha Dade.

Përplasja
Propozimi i qeverisë për Edith Harxhin në krye të ambasadës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte molla e sherrit të djeshëm mes Musfajit dhe Dades. Duke mos u tërhequr nga qëndrimi se Harxhi nuk është e denjë për postin e ambasadores, Dade tha në seancën e djeshme plenare se propozimi qeverisë duhet të rishikohet. Madje ajo tha me bindje se ka në dorë prova të rëndësishme, që e implikojnë kandidaturën e Berishës për abuzime me fondet në kohën kur punonte tek UNMIK-u. “Faktet që unë kam, dhe ja paraqita dhe Presidentit të Republikës Alfred Moisiu, tregojnë se Harxhi është përjashtuar nga UNMIK-u, se ka bërë abuzime të mëdha me fondet, nuk merrte pjesë në mbledhje dhe nuk justifikonte dot mungesën e të hollave për të cilat ajo ishte përgjegjëse”, - tha socialistja. Menjëherë pas kësaj deklarate, ministri Mustafaj, përgënjeshtroi faktin se Harxhi është larguar nga puna në UNMIK për shkak të abuzimeve me fondet. “Nuk është absolutisht e vërtetë. Unë dua të besoj se zonja Dade ka një problem me kujtesën. Në mos, atëherë duhet besuar se zonja Dade vepron në politikë me një mentalitet mashtrimi që është shumë i dëmshëm për vendin”, - tha Mustafaj.

Inatet personale, shkarkimi
Menjëherë pas sherrit të zhvilluar për shkak të kandidaturës Harxhi, debati Dade-Mustafaj, u kthye në një debat personal. Pasi akuzoi kabinetin Berisha se nuk po qeveris ashtu siç kishte premtuar me duar të pastra, Dade ju kthye ministrit të Jashtëm, duke kërkuar rishikimin e pozicionit të tij në krye të diplomacisë. Me pak fjalë, deputetja socialiste propozoi shkarkimin e Mustafajit me argumentin se ai ka bërë shumë gafa diplomatike që nga koha kur është emëruar ministër. “Qëndrimi i tij ndaj Maqedonisë fqinje bie ndesh me atë çka është thënë. Nuk është i përgjegjshëm për postin e rëndësishëm që ka. Pas gafave diplomatike lidhur me Kosovën, si dhe inkoherencës së qëndrimeve me personalitete e shtetit, paraqitet në një emision televiziv si një njeri që ende nuk është ndërgjegjësuar për peshën e përgjegjësisë që ka marrë përsipër”, - akuzoi ajo. Por sipas ministrit Mustafaj, mllefi i Dades vjen nga një histori shumë e vjetër simpatie që ka pasur mes tyre. Ai u shpreh i bindur se Presidenti nuk do të marrë fare parasysh deklaratën e saj për Harxhin.

Propozimi
Socialisti Qemal Minxhozi, tha dje në Kuvend se Partia Socialiste pranon më mirë që në krye të ambasadës shqiptare në SHBA të vihet një figurë me përvojë politike sesa Edit Harxhi

Qendrimi i PS
Partia Socialiste i bëri dje sërish thirrje Presidentit të Republikës, të shikojë me kujdes emrin e Edit Harxhit si kandidaturë për ambasadore në SHBA.

DADE: “Kemi fakte shtesë në lidhje me reputacionin e Edit Harxhit në kohën kur ka qenë në UNMIK. Faktet tregojnë se është përjashtuar edhe për abuzime me fondet. Kështu që bie poshtë dhe politika me duar të pastra të zotit Sali. Kryeministri duhet të rishikojë pozicionin e Ministrit në Qeveri. Qëndrimi i tij ndaj Maqedonisë fqinje bie ndesh me atë çka thënë. Nuk është i përgjegjshëm për postin e rëndësishëm që ka. Qëndrimi i tij ndaj Maqedonisë fqinje bie ndesh me të gjithë praktikën e deritanishme, dhe qëndrimet e faktorit ndërkombëtar. Zoti ministër mesa duket kur ka qenë në opozitë ka bërë poezi, dhe tani nuk ka kohë që të lexojë as dosjen e rajonit”.

MUSTAFAJ: “Nuk është absolutisht e vërtetë se zonja Harxhi është larguar nga UNMIK-u për abuzime me fondet apo ashtu siç përmend zonja Dade. Për këtë arsye jam i bindur se Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, nuk do të marrë parasysh në gjykimin e tij të pavërtetat e Dades për propozimin e Edit Harxhit për ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë dua të besoj se zonja Dade ka një problem me kujtesën. Në mos, atëherë duhet besuar se zonja Dade vepron në politikë me një mentalitet mashtrimi, që është shumë i dëmshëm për vendin. Me zonjën Dade kam një histori shumë të vjetër simpatie. Presidenti nuk do të marrë në konsideratë shpifjen e Dades”.
nga Rozeta Rapushi, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 28/10/2005, ora 14:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori