PS: "Grabitqari" Ristani mezi pret të ndodhë një vrasje
Partia Socialiste ka reaguar nëpërmjet deputetit Ervin Bushati në lidhje me deklaratën e numrit dy të PD-së, Arben Ristani, sipas të cilit krimi ka mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas deputetit socialist, Partia Demokratike mezi pret të ndodhë një vrasje në mënyrë që të ketë rastin të sulmojë policinë e shtetit. /albeu.com/

Deklarata e plotë e deputetit Ervin Bushati:

"Numri dy i Partisë Demokratike doli sërish sot përpara medias për të sulmuar Policinë e Shtetit dhe sigurisht, edhe qeverinë.

Partia Demokratike të sulmojë policinë, kjo nuk është një gjë e re. Pasi policinë opozita e ka sulmuar vazhdimisht, edhe kur ka vendosur rregull në trafikun rrugor, edhe kur ka ndaluar vjedhësit e energjisë elektrike, edhe kur çliroi Lazaratin nga prodhuesit dhe trafikuesit e drogës që për 20 vjet e kishin kthyer një copë të Shqipërisë në një ishull jashtë kontrollit të shtetit.

Por reagimi i sotëm i zotit Ristani tregon mënyrën se si operon Partia Demokratike. Asnjë alternativë se si gjerat mund të bëhen më mirë. Asnjë përgjegjësi për çka ka ndodhur tetë vitet e fundit kur ata vetë qeverisnin. Por tamam si grabitqar pret me gëzim sa të ndodhe një vrasje për të drejtuar gishtin drejt policisë.

Një ditë më parë, Ministri i Brendshëm paraqiti disa shifra shumë domethënëse të punës së policisë së shtetit. Shifra, të cilat as Partia Demokratike, as Arben Ristani, nuk guxuan t’i kundërshtojnë, por i pranuan pasi janë të vërteta. Në vetëm një vit falë punës së policisë vrasjet janë ulur me 10,4%. Numri i personave në kërkim të kapur nga forcat e rendit është rritur 19%, ndërkohë që janë sekuestruar rreth 19 milionë euro asete të veprimtarive kriminale.

Që ende nevojitet shumë punë në luftën kundër krimit, kjo është e vërtetë. Njësoj siç është e vërtetë se policia që trashëgoi qeveria e re ishte lënë nga zoti Ristani, ish zëvendësministër i Brendshëm, si mos më keq. E keq trajnuar, e keq pajisur dhe sigurisht me individë të lidhur me krimin në krye të policisë që duhet ta luftonte krimin. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur numri dy i Ministrisë së Brendshme ishte Arben Ristani, i dënuar nga gjykata, me të kaluar penale.

Sigurisht që numri dy i Partisë Demokratike nuk flet për veten e tij, as për të kaluarën e tij.

Partia Socialiste mbështet punën e Policisë së Shtetit dhe e inkurajon atë për të vazhduar luftën pa kompromis ndaj çdokujt që shkel dhe abuzon me ligjin".
Shtuar më 06/01/2015, ora 17:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori