PS-FRD zyrtarizojnë marrëveshjen
Bamir Topi, pasditen e sotme ka zyrtarizuar marrëveshjen për të dalë në koalicion me PS, në zgjedhjet e 21 Qershorit. Rama konfirmoi marrëveshjen me FRD, duke i cilësuar negociatat me këtë parti të një natyre të veçantë dhe ndryshe nga negociatat e tjera.

“Kemi rënë dakort duke ndërtuar një shembull të ri dhe emancipues për politikën shqiptare, ku si në vende të tjera të zhvilluara që i kanë kapërcyer me kohë këto nivele konfliktualiteti të lartë politik, parti në opozitë në nivel kombëtar, bashkëpunojnë në nivele lokale.

Kjo ka qenë qasja e FRD-së dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë qasje si kontribut të posaçëm që kjo parti jep përmes këtij koalicioni. Ne jemi të vetëdijshëm që FRD është forcë në opozitë me qeverinë, një opozitë e një natyre të veçantë, qytetare dhe shumë europianizuese, por jemi të kënaqur që në këto zgjedhje do të jemi së bashku për të përcjellë përmes këtij koalicioni këtë frymë qytetarie”, deklaroi kryeministri Rama.

Nga ana tjetër, kreu i FRD Bamir Topi, konfirmoi ç'ka tha kryesocialisti, duke thënë se në takim u paraqit pozicioni i partisë që ai drejton, ndërsa shtoi se rikonfirmohet pozicioni i FRD si një parti e qendrës së djathtë.

“Është e rëndësishme që të rimerret nga publiku rikonfirmimi i pozicionit të FRD-së si një parti e qendrës së djathtë. Këto janë zgjedhje administrative. Jemi lodhur pafundësisht në këtë tranzicion të gjatë politik dhe keq administrimi i qyteteve.

Sot po hedhim një vullnet politik dhe qytetar për të vënë kandidatët më të mirë. Është më e rëndësishme që të jetë filozofia e administrimit të fatit të qyteteve, aq më shumë që janë reduktuar në 61, të kemi projekte dhe të iket nga demagogjia e të shkohet në burimin real të financimit të projekteve. Kam quajtur sidomos garën për Tiranën, jashtëzakonisht të rëndësishme. Tiranën unë e quaj zemra e kombit dhe një zemër që vuan shumë dhe ka nevojë për ndërhyrje. Kjo kërkon profesionistë dhe njerëz me vizion. T’i lëmë ata që interpretojnë në mënyrë shumë arkaike këtë. Për ne ka rëndësi që ta shndërrojmë Tiranën”, tha Topi. /albeu.com/


Shtuar më 17/04/2015, ora 17:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori