PS e Kukësit: Të zbardhet vrasja e Veselit
Pëlqej
Dega lokale e Partisë Socialiste në Kukës, përmes një deklarate kërkoi sot zbardhjen e vrasjes së kryetarit të Komunës Tërthore Remzi Veseli, ngjarje e ndodhur disa javë më parë në këtë qytet.

"Nëse brenda një kohe te shkurtër nuk do te gjenden shkaqet dhe autoret, PS e Kukesit do te ndërmarrë protesta. Vrasja në derën e shtëpisë e njeriut me mandat të popullit jo vetëm që është një krim makabër, por është dhe një kambanë e fortë alarmi për mungesën e sigurisë së jetës për gjithë banorët e rrethit tone”, thuhet në deklaratën e Partisë Socialiste të Kukësit.

Me anë të kësaj deklarate, dega lokale e Partisë Socialiste thekson se organet kompetente në mënyrë urgjente duhet të zbardhin vrasjen, në të kundërt, PS e rrethit Kukës do të protestojë fuqishëm deri në zbardhjen e këtij krimi.

Remzi Veseli i zgjedhur në mandatin e dytë si kryetar i komunës Tërthore, u vra pak ditë më parë teksa po lthehej në banesën e tij në qytetin e Kukësit pranë Drejtorisë së Policisë. Policia shoqëroi rreth 40 persona por ende nuk është zbuluar autori dhe shkaqet e vrasjes. (albeu.com)
Shtuar më 07/11/2010, ora 17:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori