Nga Fatos Nano te Tahiri, kush janë politikanët “VIP” që përfunduan pas hekurave

Në Shqipëri edhe pse dënimet e politikanëve të rangut të lartë kanë qenë të pakta, disa prej tyre kanë bërë vërtetë bujë.

Kjo edhe për shkak të rëndësisë që ata kanë pasur në skenën politike.

I pari që do të hapte siparin e arrestimeve VIP në vitin 1993, do të ishte ish-kryetari i PS, Fatos Nano.

Nano do të burgosej për shpërdorim detyre. Më 30 korrik 1993, shefit të opozitës së atëhershme dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nanos iu hodhën prangat nën akuzat për korrupsion nga regjimi i ri demokratik që erdhi në pushtet më 22 mars 1992.  Kreu i socialistëve u dënua nga drejtësia shqiptare me 12 vite burg dhe vuajti dënimin në burgun “Jordan Misja” deri në vitin 1994 dhe në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës deri në vitin 1997, kohë kur edhe u lirua.

Një i dënuar tjetër është edhe Spiro Ksera. Ksera ka qenë ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale në mandatin e dytë të qeverisë Berisha, por u dënua me 1 vit e 8 muaj burg, për korrupsion dhe shpërdorim të  detyrës. Ish-Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, fillimisht anëtar i PBDNJ, ai iu bashkua PD-së në vitin 2009 dhe u zgjodh deputet i saj për Gjirokastrën. Në vitin 2016 Gjykata e Tiranës e dënoi me një vit e 8 muaj burg, për vjedhje dhe shpërdorim të  detyrës përgjatë vitit 2013. Sipas prokurorisë ish-ministri akuzohej se kishte abuzuar me fondet e buxhetit të shtetit në shumën e 30 milionë lekëve.

Burgun e ka provuar edhe ish-deputeti i PKD-së Mark Frroku, i cili  fillimisht u arrestua në vitin 2015 pas atentatit të pretenduar të Tom Doshit, ku u ndalua për deklarim të rremë. Më vonë gjykata e Tiranës ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burg ish-deputetin Mark Frroku për tre akuza të ngritura nga prokuroria, por jo për atë të vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë, e cila ishte edhe me e rënda. Sipas vendimit të togave të zeza, ish-deputeti Mark Frroku u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1999, në Belgjikë. Por nga ana tjetër, e njëjta gjykata e shpalli fajtor Frrokun për 3 akuza të tjera; atë të fshehjes së pasurisë, pastrim i produkteve të veprës penale dhe ndërtimit të paligjshëm.  Në vitin 2018 gjykata e apelit i uli dënimin, ndërsa kur i kishin mbetur dhe rreth 2 vite burg ai u lirua në maj të vitit 2018 nga qelia në burgun e Fierit.

I fundit ish-ministër i cili provoi prangat dhe është në pritje të procesit gjyqësor është Lefter Koka.  Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka njoftuar se dyshohet se Koka ka konsumuar veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë burgun e ka provuar edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua të premten (04.02) nga GJAKK me burg me akuzën për shpërdorim të detyrës. Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJAKK), organi i akuzës firmosi urdhër – arrestin. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli me pranga në duar nga salla e kësaj gjykate dhe u dërgua në mjediset e paraburgimit të burgut 313, burg i sigurisë së zakonshme, që ndodhet në Tiranë./albeu.com/


Shtuar 10.02.2022 10:37