Partia Socialiste, dënoi sot ashpër aktin e rëndë kriminal të një
grupi banorësh të
fshatit të Lazaratit të cilët ushtruan dhunë ndaj një
grupi gazetarësh të
Televizionit A1 Report, që ndodheshin në
Lazarat për të kryer misionin e tyre.
Në një deklarata për shtyp deputeti Alfred
Peza u shpreh se Lazarati është bërë sot jo vetëm një çështje e shoqërisë shqiptare, Policisë së Shtetit dhe drejtësisë, por edhe kufiri ndarës i së drejtës universale për lirinë e informimit.
"Liria e medias, ruajtja e jetës dhe integriteti profesional i gazetarëve, është një nga fitoret më të mëdha të pluralizmit të vështirë post komunist në Shqipëri.
Media dhe gazetarët po fitojnë dhe po zgjerojnë çdo ditë e më shumë, gradët e tyre të lirisë në raport me qeverinë, shtetin dhe të gjitha pushtetet.
Grupi i punonjësve të
televizionit, ishte atje, në mes të ditës, në mes të
fshatit dhe me një makinë me logo të dukshme të
televizionit, për të ndjekur dhe pasqyruar operacionin e Policisë së Shtetit kundër mbjelljes, trafikut të drogës dhe personave me precedentë penalë në këtë zonë." u shpreh
Peza.
Partia Socialiste, përshëndeti dhe falënderoi të gjithë ata banorë të
fshatit Lazarat që u distancuan nga kjo ngjarje e rëndë, duke shkëputur nga thonjtë e kriminelëve punonjësit e
televizionit A1 Report duke garantuar paprekshmërinë e jetës së tyre dhe shenjtërinë e profesionit të gazetarit. /albeu.com/
Shtuar më 16/06/2014,
ora 17:21