PS: Basha dështoi me turizmin
Pëlqej
PS përmes deputetes Olta Xhaçka, ka akuzuar sërish kreun aktual të Bashkisë së Tiranës, në lidhje me mosmbajtjen e premtimeve. Në një prononcim për mediat, ajo e vuri theksin tek krijimi i Rrjetit të Destinacioneve të Integruara Turistike të zonës së Tiranës.

"Krijimi i Rrjetit të Destinacioneve të Integruara Turistike të zonës së Tiranës ishte një nga premtimet e bujshme të Lulzim Bashës.

Fatkeqësisht edhe ky ishte një tjetër premtim që as kishte ndërmend ta mbante dhe as nuk e mbajti. Por që i ka kushtuar jo pak bizneseve e qytetarëve të Tiranës në të ardhura të munguara dhe në zhvillim të munguar.

Jo thjesht si kryeqytet, por edhe për shkak të pasurive të natyrës dhe trashëgimisë historike e kulturore që e rrethojnë, Tirana duhet të kishte një sektor të zhvilluar turizmi. Por fakti është se sot Tirana nuk krahasohet dot për numrin e turistëve as me qytete shumë herë më të vogla, por që ndryshe nga Tirana kanë pasur fatin të kenë kryebashkiakë që dinë të punojnë dhe duan të punojnë.

Zhvillimi i turizmit natyrisht kërkon punë. Kërkon punë së pari për të evidentuar destinacionet dhe vlerat e tyre, për t’i promovuar ato, për të investuar në gjelbërim, infrastrukturë, kulturë dhe art, për ta bërë më tërheqës qytetin. Kërkon vizion dhe ide.

Lulzim Basha nuk ka as vizion e as ide. Kjo tanimë dihet e pranohet si fakt jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga kandidati i Lulzim Bashës për Tiranën. Por në rastin e turizmit, dështimi i tij është skandaloz edhe për standardet e vetë Lulit.

Vetëm 4.9% të investimeve në kulturë dhe turizëm ka arritur të kryejë Bashkia e Tiranës në vitin 2013! Vetëm 4.9%! Njeriu që ankohet se po e pengon qeveria, i paska pasur paratë për të investuar dhe ka arritur të investojë vetëm 4.9% të totalit. Një shifër që do të bënte me turp edhe kryekomunarin më të paaftë të ndonjë komune të Shqipërisë.

Tirana humbi plot 4 vjet me Lulzim Bashën, por në 21 qershor qytetarët do t’i japin fund me votë kësaj epoke dështimesh. Pas 21 qershorit Tirana do të fillojë sërish të ecë në drejtimin e duhur", tha ajo. /albeu.com/

Shtuar më 04/05/2015, ora 16:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori