PS, Balla: Korrupsioni ende i lartë
Taulant Balla
Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Sali Berisha e refuzon transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit pasi është peng i krimit dhe korrupsionit.

Duke iu referuar raportit më të fundit të Transparency International, deputeti Balla tha në një konferencë për shtyp se raporti paraqet një tablo tronditëse të korrupsionit në Shqipërinë e sunduar nga Sali Berisha.

“Është absurde që në këtë situatë të trumpetohet si arritje - përmirësimi me 0.1 pikë i perceptimit të korrupsionit në vend, ndërkohë, që ky rezultat është gjithsesi më i ulët se dy vite më parë”, tha deputeti socialist.
Zoti Balla bëri me dije se Shqipëria renditet shumë më poshtë se sa vende si Malaui, Lesoto, Gana, Namibia etj, për shkak të Sali Berishës.

Sipas tij raporti i Transparency International konfirmon se abuzimi dhe korrupsioni, është aktiviteti kryesor i pushtetit të Sali Berishës që po pasuron oborrtarët duke vjedhur e grabitur pasuritë e shqiptarëve.

Balla ripërsëriti akuzat për korrupsion ndaj Albana Vokshit dhe sekserëve të familjes në koncesionet e naftës së Shqipërisë; apo akuzat ndaj kunetërve, partnerëve dhe bashkëshortëve, të Albana Vokshit, Majlinda Bregut, Genc Rulit, Rajmonda Bulkut që janë kthyer në pronarë hidrocentralesh; si dhe akuzat ndaj ish bodigardit të Sali Berishës, Agron Kuliçi, sot zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit si dyshuari kryesor për kontrabandën e naftës së papërpunuar.

Deputeti socialist argumentoi se “Një pushtet ku çdo ministër është i implikuar në afera korruptive dhe ku në çdo skandal rezultojnë të përfshirë në mos djali e vajza, më së paku miqtë e familjarët e Sali Berishës, nuk ka si të jetë një pushtet që lufton korrupsionin”.

Deputeti Balla ia hodhi fajin për këtë situatë sipas tij të turpshme, kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas Ballës, i vodhi zgjedhjet e 28 qershorit vetëm e vetëm për të grabitur pasurinë e shqiptarëve nga makutëria për pasuri e pushtet.
Shtuar më 26/10/2010, ora 18:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori