PS apelon për uljen e tensioneve ndëretnike
Partia Socialiste ka reaguar të shtunën ndaj arrestimeve të ditës së premte në Luginën e Preshevës. Në një njoftim të shpërndarë për mediat PS njofton se po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në Bujanovc, në kohën e heshtjes zgjedhore.

Partia Socialiste ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Luginën e Preshevës dhe shpreh shqetësimin e thellë për rritjen artificiale të tensioneve politike në prag të zgjedhjeve në Serbi. Bastisjet e arrestimet e shqiptarëve në afërsi të Bujanovcit dhe proceset e montuara politikisht, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve në atmosferën e frikës, panikut e presioneve, vënë në diskutim standardet demokratike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut të detyrueshme për çdo vend”, thuhet në reagim.

Partia Socialiste bën thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike dhe paralajmëron për rrezikun që vjen nga rikthimi i retorikës e praktikave të pak viteve më parë, të cilat dëmtojnë rëndë harmoninë ndëretnike dhe pengojnë bashkëpunimin rajonal, si një element i rëndësishëm edhe për proceset integruese euro-atlantike të rajonit. /albeu.com/
Shtuar më 05/05/2012, ora 17:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori