Përfundon aksioni “Pika”, raporti: Në terren u arrestuan rreth 50 policë, përfshirë dy udhëheqësit e pikave kufitare

Ka përfunduar aksioni i koduar “Pika”, cak i të cilit ishin zyrtarët e kufirit në Rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit. Burime të Gazetës Express benda Prokurorisë Speciale të Kosovës thanë se numri i të arrestuarve është rreth 50, në mesin e tyre dy udhëheqësit e pikave kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë si dhe dy oficerë doganorë, të tjerët janë policë kufitarë.

Aksioni ka nisur mëngjesin e sotëm, i paraprirë nga një hetim rreth 1-vjeçar duke përfshirë masa të fshehta të hetimit. Sipas IPK-së, “Pika” është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Zyrtarët e arrestuar dyshohen për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me veprat penale: “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i të një numri të zyrtarëve pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Express raportoi se në Qafë Morinë u arrestuan gjithë policët që ishin në ndërrim, më pas të njëjtit u zëvendësuan nga policë të pikave të tjera kufitare, për të mbuluar mungesën e tyre.

Për aksionin ka lëshuar komunikatë edhe Dogana e Kosovës, pasi në pranga u vunë edhe dy oficerë doganorë nën dyshimet se kanë kryer veprat penale ‘mitmarrje’ dhe ‘shpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’.

“Drejtori i Përgjithshëm i Doganës ka ndërmarrë veprimin e suspendimit të menjëhershëm të zyrtarve doganor të arrestuar dhe do të filloj procedimin administrativ disiplinor” njoftoi Dogana.

Pas përfundimit të aksionit, Prokurori i Shtetit njoftoi për organizimin e një konferencë të jashtëzakonshme. Konferenca do të mbahet nga ora 15:00.

“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë përfaqësues nga Prokurori i Shtetit, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin dërguar mediave./Express


Shtuar 14.03.2022 14:11