Protestë kundër zgjedhjeve serbe
Albeu.com
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar të premten një protestë, në Prishtinë, në kundërshtim të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë."Vetëvendosja" ka akuzuar drejtpërdrejt UNMIK-un dhe Qeverinë e Kosovës për lejimin e organizimit dhe ngritjes së strukturave paralele serbe.
Protestuesit kanë hedhur mbeturina dhe ujëra të zeza të kanalizimit në ndërtesën e UNMIK-ut, duke i hedhur fajin për lejimin e organizimit të këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë që njësoj është vepruar edhe ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë se po pajtohet me gjithçka që i servohet nga Serbia dhe UNMIK-u.

Ndërsa një kamion me mbeturina po zbrazej dhe hidhej në oborrin e selisë së administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa po hidheshin dhe ujëra të zeza në këtë ndërtesë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës, me vetë faktin se po lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, po lejojnë cenimin e integritetit të Kosovës.

“Strukturat e Serbisë në Kosovë e kanë kontrolluar për nëntë vjet me radhë një të katërtën e territorit të Kosovës. Tash këto struktura po zyrtarizohen përmes zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë brenda Republikës së Kosovës. Pas 11 majit, në 23 komuna të vendit do të ketë kryetar paralel”, iu drejtua masës Kurti.

Gjatë gjithë kohës, ndërtesat e institucioneve të Kosovës dhe administratës ndërkombëtare janë siguruar nga policia vendore dhe ajo ndërkombëtare.

Ndërkaq, protestuesit në vazhdimësi kanë brohoritur kundër UNMIK-ut, Qeverisë së Kosovës, kundër pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, por kishte edhe brohoritje tjera që mbështesnin vetëvendosjen dhe thirrjet “UÇK”..., UÇK”.

Albin Kurti tha se protesta e sotme nuk është kundër bashkësisë ndërkombëtare, por ajo kërkon që komuniteti ndërkombëtar të mos qeverisë dhe administrojë me Kosovën, por ta ndihmojë atë që të qeveriset vet. (Radio Evropa e Lirë)
Shtuar më 10/05/2008, ora 00:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori