Protestat për kasat fiskale, ndiqen penalisht 4 persona
Kasat fiskale
Dhjetëra pronarë biznesesh të vogla, shumica tregtarë në tregun e madh industrial po protestojnë që prej mëngjesit në zonën e Medresesë në Tiranë. Ata protestojnë kundër instalimit të kasave fiskale, për shkak të cmimit të lartë që duhet paguar dhe gjobave të vendosur nga tatimorët ndaj mungesës së tyre në dyqane.

Për më shumë se një orë tregtarët protestues ishin vendosur në të dy anët e rrugës duke bllokuar lëvizjen e automjeteve në unazë. Tregtarët bllokuan rrugën që prej orës 07.00- deri rreth orës 08.20 minuta.

Forca të shumta policia kanë mbikëqyrur protestën dhe i kanë kërkuar tregtarëve të lirojnë qarkullimin e automjeteve. Në ndihmë kanë ardhur dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë. Pasi protestuesit nuk kanë pranuar, policia ka nisur ti shtyjë drejt trotuareve. E gjithë situata është shoqëruar me tension mes dy palëve.

Rreth orës 08.30 minuta rruga është liruar ka nisur lëvizja e makinave, ndërsa trafiku i makinave në Unazë ishte tepër i rënduar.

Ndërkohë në një deklaratë për shtyp, policia e kryeqytetit bëri me dije se po procedohen penalisht tregtarët Kadri Nelaj, Iliaz Cara, Enxhi Planka dhe Petrit Karaj.

Sipas policisë së kryeqytetit masa ndaj tyre u mor pasi këta katër tregtarë dje përgjatë një ore nga 10.30-11.30 kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në tregun industrial që ndodhet në rrugën “5 Maji” pranë Medresesë, duke bllokuar kryqëzimin që lidh rrugën në fjalë me atë “Ferid Xhajko”.

Sipas policisë ata akuzohen për tri vepra penale, për mosbindje ndaj urdhrit të policisë së rendit publik, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme dhe pengim të qarkullimit rrugor.

Katër tregtarët kanë kundërshtuar dje me forcë të paguajnë gjobat e tatimorëve për vendosjen e kasave fiskale, duke protestuar dhe bllokuar rrugën pranë Medresesë. (UPDATE)
Shtuar më 23/09/2010, ora 16:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori