Protestat, mblidhet sot Kryesia e PS
Pëlqej
Kryetari socialist Edi Rama ka thirrur sot pasdite rreth orës 17:00, mbledhjen e kryesisë së partisë. Burimet nga kjo parti bënë të ditur se temë e diskutimeve në këtë mbledhje do të jenë protestat që mund të nisin pas datës 9 nëntor. Do të përcaktohet gjithashtu edhe kalendari i qyteteve dhe deputetëve që do të jenë të ngarkuar me organizimin e protestave.

Mbledhja e kryesisë pritet të thërrasë edhe Asamblenë Kombëtare, e cila gjithashtu mund të mblidhet pas datave 8-9 nëntor. Nuk dihet nëse në këto mbledhje forumesh do të diskutohet për përfshirjen e Erion Veliajt në ndonjë nga strukturat, pasi mësohet se nuk do të ketë ndryshime të brendshme. Por nuk përjashtohen diskutimet për çështjet e brendshme në mbledhjen e sotme. Nga ana tjetër, anëtarët e kryesisë do të diskutojnë situatën më të fundit politike, qëndrimin ndaj parlamentit, por edhe për çështjet organizative të partisë.

Nderkohe aleatët e PS-së janë të gatshëm që të nisin protesta të ashpra për të rrëzuar qeverinë ‘Berisha’ dhe për të afruar zgjedhjet e parakohshme, si e vetmja zgjidhje e krizës. Ata janë mbledhur dje në një takim informal, pa praninë e kreut të PS-së dhe kanë diskutuar rreth situatës politike në vend, duke u konsultuar gjithashtu në lidhje me hapat e mëtejshëm.
Shtuar më 04/11/2010, ora 09:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori