Protestë kundër dhunës - Ahmetin: Populli është me ne
Albeu.com
nga Bekim BuçiNën moton “Stop dhunës” në sheshin e Tetovës Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) organizoi tubim pas incidentit të rëndë që ndodhi të hënën në fshatin Rahovec të Tetovës ku me armë automatike u sulmua vetura në të cilën ndodhej lideri i BDI-së Ali Ahmeti.Simpatizantë të BDI-së mbanin parulla me mbishkrime “Plumbi i shqiptarit është vota e tij”, “Çairi kundër dhunës”, “Menduh ndalo bandidat e tu”.
Në fjalimin hyrës u tha se atentati ndaj Ali Ahmetit është atentat ndaj tërë popullit shqiptar. “Kush don të vras Ahmetin ai tenton të vrasë UÇK-në e Kosovës dhe UÇK-në e Maqedonisë. Ftojmë ambasadorët e huaj në Shkup dhe faktorin ndërkombëtar që të mbrojnë Ahmetin, por kuptohet Ahmetin do ta mbrojmë edhe ne”, u tha në fjalën hyrëse.
Ali Ahmeti tha se nuk frikësohen dhe se nuk ka kush i ndal nga amaneti i Ismet Jasharit Kumanovës, komandant Ilirit dhe shumë gjeneratave tjera.
Ai tha se në momentet e para ditën e hënë e kanë thirr prindër të dëshmorëve. “Ua përcjell fjalët e tyre përpara jush, një fjalë të nënave të tyre që kanë humbur djemtë e tyre, një fjalë të baballarëve të tyre dhe të gjithë më kanë thënë: djali ynë durim, durim, durim se populli është me çlirimtarët, populli është me ju”, tha Ahmeti.
Sipas tij, në këtë situatë shqiptarëve u duhet uniteti, bashkimi i fuqishëm, sepse vetëm të bashkuar mund t’i themi jo skenarëve antishqiptare. “Neve na presin punë të ndershme, punë të mëdha. Ne duam të ndërtojmë të ardhme e ajo duhet të jetë në duar të sigurta”, tha Ahmeti. Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrje në tubim dhe apeloi për gjakftohtësi dhe maturi. Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Izet Mexhiti tha se, “ata që duan gjakderdhje ne do t’i përgjigjemi me gjuhën e popullit”. “Ahmetin e ruan Zoti por edhe ne do ta ruajmë. PDSH-ja është kukull e VMRO-së. Ata u frikësuan sepse BDI-ja ofron ardhmëri për shqiptarët. Ne ofrojmë 100 mijë punësime për shqiptarët në mandatin e ardhshëm, flamur, gjuhë dhe projekte tjera të mëdha. Vojvodës Thaçi nuk i ndihmon as Jankullovska, as Elmazi e as Boshkovski”, tha Mexhiti duke shtuar se më 1 qershor populli ata do t’i dërgojë në histori. Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi tha se janë mbledhur për t’iu thënë Stop atyre që duan të turpërojnë popullin shqiptar. “Nuk ka kush e frikëson popullin me zemër”. Kryetari i komunës së Tetovës, Hazbi Lika tha se nuk ka dilema se do të fitojnë. “Nuk do të lejojmë që ata të dhunojnë votat e shqiptarëve”, tha Lika.


Tubimi u vonua sepse ishte prerë kablloja e rrymës

Tubimi cili ishte paraparë për në ora 13:00 nuk ka filluar me kohë për shkak se persona të panjohur në mëngjes kanë prerë kabllon e rrymës elektrike. Derisa u sigurua rrymë tubimi u prolonguar për rreth gjysmë ore. Izet Mexheti akuzoi EVN-në, MPB-në dhe PDSH-në, se kanë dashur që të pengojnë mbajtjen e tubimit të BDI-së. Zëdhënësja e EVN-së, Lençe Karpuzovska tha se persona të caktuar kanë penguar kyçjen e rrymës por më vonë rryma është kyçur.
Shtuar më 14/05/2008, ora 04:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori