Protesta në Tiranë: Shqiptarët, jo terroristë (FOTO LAJM)

Dhuna, arrestimet dhe burgosja e paligjshme e shqiptarëve në Maqedoni e Preshevë, akuzat e Ministres së Brendshme maqedonase Gordana Jankullovska, për terrorizëm islamik, kanë ndërgjegjësuar Lëvizjen Shqipëria e Re, e cila e cilëson situatën e krijuar, një kërcënim të rëndë për të drejtat e njeriut.

Të mbuluar me flamurin kombëtar, mijra anëtar dhe simpatizantë të Lëvizjes Shqipëria e Re, zhvilluan një marshim paqësor, nën moton "Në mbrojtje të vëllezërve, motrave dhe nënave tona shqiptare në Maqedoni dhe Preshevë".

Tubimi nisi në Sheshin "Nënë Tereza" e më pas vërshoi drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", për tu ndalur më pas në Ambasadën Serbe e për të përfunduar në Ambasadën Maqedonase. Vargut që protestonte paqësisht rrugëve të kryeqytetit, iu bashkuan qindra qytetarë, të cilët ndjenin nevojën për ti thënë ndal dhunës dhe diskriminimit të shqiptarëve.

Kryetari i Lëvizjes "Shqipëria e Re" Edmond Vlashaj, i bëri thirrje qytetarëve, krerërve të bashkive, komunave, institucioneve shqiptare dhe liderave politikë, që të reagojnë dhe të mos lejojnë shkeljen e dinjitetit dhe të drejtave të kombit tonë.

"Në emër të Lëvizjes Shqipëria e Re, i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të gjejnë forcën dhe energjinë e tyre pozitive dhe të reagojnë fuqishëm në mbrojtje të vëllezërve dhe motrave tona që po i cënohen të drejtat e tyre në Maqedoni e Presheve. I kërkojmë të gjithë liderave tanë, ta gjejnë këtë forcë dhe të reagojnë fortë", u shpreh Vlashaj.

Ai theksoi se shqiptarët nuk janë terroristë islamik, siç pretendon ministrja e Brendshme e Maqedonisë, por janë popull paqësor dhe perëndimor. "Ti mbrojmë liritë e shqiptarëve kudo që janë. Nënat dhe motrat tona nuk janë teroriste, nuk janë terroriste islamike. Shqiptarët nuk janë terroristë islamikë, janë besimtarë që besojnë në Zot", deklaroi kreu i Lëvizjes "Shqipëria e Re".

Një tjetër thirrje të fuqshme përcolli ambjentalisti Sazan Guri. Ai i kërkoi instiucioneve të reagojnë dhe i bëri apel serbëve e maqedonasve të respektojnë të drejtat e shqiptarëve, duke theksuar se ka ikur koha e dhunës dhe ka ardhur momenti që të mos ketë më kufij administrativë e politik, për vendet që synojnë të jenë pjesë e europës.

"Bashkjetesa multietnike, ekologjike e turistike nuk i njeh kufijtë administrativ e politik", theksoi ai. Guri i drejtoi një tjetër apel Këshillit të Europës që të hetojë për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve në Maqedoni e Preshevë.

Sevin Serjani, një nga liderat e rinj të Lëvizjes "Shqipëria e Re", theksoi se shqiptarët janë paqësor dhe janë në trojet e tyre etnike. Ai përsëriti se shqiptarët nuk janë terroristë, por qytetarë europian. /albeu.com/
Shtuar më 07/05/2012, ora 14:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori