Do të diskutohet kalendari, UEFA mblidhet të martën për të gjetur një zgjidhje

Me shtimin e rasteve të të prekurëve nga koronavirusi në Europë dhe jo vetëm, rritet pesimizmi për fillimin e kampionatave kombëtare dhe Kupave të Europës Champions dhe Europa League dhe përfundimin e tyre në fund të qershorit siç e kanë parashikuar krerët më të lartë të UEFA-s.

Duke iu referuar asaj çfarë shkruan gazeta italiane Corriere Dello Sport, të martën është në program një tjetër mbledhje e UEFA-s ku do të diskutohet pikërisht për kalendarin dhe për mënyrën sesi mund të mbyllet ky sezon futbollistik pa cënuar sezonin e ardhshëm dhe Euro 2020 që do të zhvillohet në verën e vitit 2021.

Ideja më e fundit e presidentit të UEFA-s Ceferin është të ulë numrin e ndeshjeve në garat ndërkombëtare si dhe të spostojë për një afat tjetër pauzën e kombëtareve në program nga data 1 deri në 9 qershor për të patur kohën e mjaftueshme që të mbyllen kampionatet.

Përtej datës 30 qershor drejtuesit e UEFA-s nuk duan të shkojnë pasi do të vinin në rrezik vijueshmërinë e sezonit të ardhshëm. Por nëse zgjedh të mos përfundojë Championsin dhe Europa Leaguen krerët e UEFA-s atëherë do t’u jepnin një asist kampionateve kombëtare të cilët mund të luhen me më shumë lirshmëri në këtë periudhë të vështirë. Gjithsesi vendimi përfundimtar i takon UEFA-s.


Shtuar 23.03.2020 11:33