Protesta e PS-se, 22 deputete te opozites ne greve urie
Albeu.com
Grupi kuvendor socialist merr vendimin për nisjen e një greve urie nga 22 deputetë të opozitës. Konfirmohet se socialistët do të qëndrojnë në cadrat e ngritura përpara selisë së kryeministrisë të shoqëruar nga 200 qytetarë.
ORA 23:50 - AHMETAJ: GREVA I VETMI MJET I MBETUR PËR TRANSPARENCË
Deputeti Arben Ahmetaj, i cili është njëri nga deputetët grevistë ka deklaruar për Neës 24 se për të kjo është greva e dytë që bën për votën e lirë. Ahmetaj e ka cilësuar grevën si mjetin e vetëm për të arritur transparencën.

“Fatkeqisisht hymë në një grevë që ka të njëjtën temë, edhe para 20 vitesh ishte grevë që bëhej për votën e lirë. Kjo grevë do të jetë pasqyrë e qartë për të arritur transparencën e kutive. Duhet të vendosim që dita e zgjedhjeve duhet të jetë një ditë kthese ku shqiptarët shkojnë votojë dhe vota ju numërohet” – deklaroi Ahmetaj.

Sipas tij, PS i ka provuar të gjitha mjetet paqësore për të arritur transparencën e zgjedhjeve, por nuk ia ka dalë mbanë. Është pikërisht kokëfortësia e qeverisë, sipas Ahmetaj që i detyroi të hynë në grevë. “PS i ka provuar të gjitha mjetet paqësore dhe përsëri gjendemi përballë kokfortësisë së maxhorancës, kjo është arsyeja që jemi këtu. Ne jemi të vendosur të rrimë këtu deri në fund”, tha Ahmetaj, duke theksuar se pas pak do të fillojë edhe greva e urisë, “që do të jetë shumë serioze”, sipas tij.

ORA: 23:31- SHALSI: QEVERIA TE MOS PROVOKOJE
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në News24, deputeti socialist Eduard Shalsi bën të ditur se dhjetëra anëtarë të FRESH-it janë shoqëruar padrejtësisht në komisariatin e policisë, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë të mos provokojë protestën paqësore të opozitës.

“Janë shoqëruar një pjesë e mirë e anëtarëve të FRESH-it në komisaritarin e policisë. I bëjmë thirrje qeverisë të mos provokojë. I themi Berishës që të mendohet mirë përpara se të përdori policinë e shtetit për interesa vetjake” tha Shalsi.

Në lidhje me grevën e deputetëve socialistë, Shalsi theksoi se ky është një vendim i menduar mirë për të cuar deri në fund kauzën për transparencën e zgjedhjeve.


ORA: 22:14- XHAFAJ: REZISTENCE PER TRANSPARENCE
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit kuvendor socialist, deputeti Fatmir Xhafaj konfirmon vazhdimin e protestës përmes një greve urie të 22 deputetëve socialistë të shoqëruar nga180 qytetarë.

“Na ka mbetur vetëm një rrugë, vetëm rezistencë për transprencë. Berishës i ka mbetur vetëm një zgjidhje, të hapë kutitë ose të largohet. Grupi PS zhvilloi një takim duke vendosur që protesta do të vazhdojë. Sonte 22 deputetë do të fillojnë grevën e urisë. Janë solidarizuar edhe rreth 180 qytetarë që janë të vendosur të cojnë deri në fund kauzën e një populli të tërë” u shpreh Xhafaj I cili publikoi edhe listën e deputetëve që do të nisin grevën në cadrat e ngritura në bulevardin përpara selisë së kryeministrisë.

Deputetët që do të fillojnë sonte grevën e urisë janë: Arben Malaj, Blendi Klosi, Olta Xhacka, Shegushe Ligori, Enkelejda Shkreli, Gazmir Bizhga, Armando Subashi, Ermonela Felaj, Fatmir Xhafaj, Ledi Shamku, Arben Ahmetaj, Besnik Bare, Artan Gaci, Taulant Balla,Agim Leka, Ervin Koci, Asllan Dogjani, Ilir Beqja, Pirro Lutaj dhe Fatmir Xhafaj, Gjovalin Kadeli, Skender Hasa, Fatos Tushe.

Xhafaj nënvizoi se protesta do të vazhdojë ditë e natë, në diell e në shi.
“Do rezistojmë deri në fund ndaj cdo vështirësie. Jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund qëndresës sonë. Kërkesa jonë është e thjeshtë dhe e qartë, hapja e kutive për të siguruar lirinë e zgjedhjes “ u shpreh Xhafaj.


ORA: 21:32- DEPUTETËT E PS FUTEN NË GREVË URIE

Grupi kuvendor socialist merr vendimin për nisjen e një greve urie nga 22 deputetë të opozitës. Konfirmohet se socialistët do të qëndrojnë në cadrat e ngritura përpara selisë së kryeministrisë të shoqëruar nga 200 qytetarë.

Ende nuk bëhet e ditur lista me emrat e deputetëve që do të vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, në shenjë rezistence kundër mosreagimit nga ana e mazhorancës ndaj kërkesave të tyre për transparencë të plotë të zgjedhjeve.

ORA: 20: 21- RUCI: BETEJA FILLON KËTU, PAS 45 MIN DO KETE VENDIM
Pas fjalës së kreut socialist në protestën e madhe të opozitës, grupi parlamentar socialist mblidhet për të marrë një vendim lidhur me mënyrën se si do të procedohet dhe se si do të organizohet më tej protesta.

“Fjala jonë për kauzën tonë nuk mbaron këtu, fillon këtu, në funksion të kësaj pas 45 minutash do ketë një vendim nga grupi Parlamentar i PS” deklaroi kreu i grupit kuvendor Gramoz Ruci.

ORA: 19:50- RAMA: SHQIPERIA NE UDHEKRYQ
“Sot Shqipëria është në udhëkryq ku pushteti grabit votat, shkel liritë dhe të drejtat e njerëzve duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjes“ kështu e nisi fjalën e tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ndërsa përshëndeti të pranishmit e shumtë në sheshin përpara selisë së Kryeministrisë.

"Jemi këtu për të hapur një faqe të re në librin e kësaj proteste që do të jetë një sakrificë e pandalshme deri kur rruga e transparencës së hapet dhe shtegu i grabitjes së zgjedhjeve të mbyllet", vazhdoi më tej kryesocialisti duke u shprehur i bindur për luftën e opozitës kundër asaj që ai e quajti keqqeverisje te vendit.

Rama nënvizoi se opozita nuk synon marrjen e pushtetit në tavolinë por transparencën e plotë të zgjedhjeve për të mbyllur, sic tha Rama, kapitullin e zgjedhjeve të vjedhura.
“Nuk kërkojmë të marrim pushtetin përmes transparencës por kërkojmë që transparenca të mos perngohet përmes pushtetit. Cdo gjë nis tek kjo fjali e vetme, hap kutitë ose largohu, jo për të kuptuar populli që i ke vjedhur, hapi ato kuti për të nxjerrë që aty armën e korrupsionit me të cilën vrave zgjedhjet e kaluara, që në zgjedhjet e ardhshme të mos vriten më shqiptarët “ tha Rama.

Ndërsa foli për situatën ekonomike të vendit duke pohuar se bizneset, pronarët e njerëzit e thjeshtë janë në krizë të thellë ekonomike, kreu socialist ja ka faturuar gjendjen e rëndë ,asaj që ai e quajti familje në pushtet me në krye Berishën.

“Gërdeci, Kalimashi, përmbytja skandaloze e Shkodrës, janë shembujt më të keq të kapjes së shtetit qe po e mbyt Shqipërinë” u shpreh Rama përpara protestuesve të shumtë që kanë mbushur Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Duke ju referuar manifestimit të nesërm të mazhorancës, Rama u shpreh se koncerti i nesërm është vetëm një festë cinike e pushtetit.

“Nesër pushteti organizon festë cinike me listë. Qeveria shpik festa për protesta. Koncerti është vetëm një karshillëk primitiv. Me qindra mesazhe na kanë ardhur nga këta qytetarë të dhunuar, të cilët kanë me 100 arsye të përbashkëta me ne, nesër janë të detyruar të hiping në autobus me pretekstin që kur ka protesta ne bëjmë festa” tha Rama.

ORA 19: 40 - NGJELA: PROTESTA NGA CDO CEP I SHQIPËRISË
“Ju sot i bëtë shërbimin më të madh lirisë së shqiptarëve kudo që janë”, kështu e ka nisur fjalën e tij në protestën maratonë kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Sipas tij, “U mbushën plot 8 muaj që bashkë po luftojmë për një kauzë të madhe që të shpëtojmë demokracinë”.

Sipas Ngjelës, “Kjo është një qeveri e dështuar nga të gjitha aspektet, ka krijuar një model shkatërrimi, ka shkaktuar përmbytje dhe viktima”.
Nga ky bulevard Ngjela ka bërë thirrje që qytetarët të protestojnë nga cdo cep i Shqipërisë, deri sa të largohet kjo qeveri.
“Ju bëj thirrje nga ky shesh që të gjithë të dilni nëpër sheshe deri në momentin që do ti japim fund kësaj qeverie që është në duart e një njeriu.” – përfundoi Ngjela.

ORA 19:30 - VELIAJ: JEMI 200.000 SHQIPTARE
Kreu i G99, Erion Veliaj në fjalën komentoi se fundi i turmës së qytetarëve të mbledhur në shesh nuk duket.
Veliaj i ka falenderuar që janë mbledhur në shesh më shumë se 200 mijë.“Faleminderit që keni zbritur nga gjithë Shqipëria, jemi bashkë këtu 200 mijë shqiptarë”

ORA 19:20- DULE: KËTU DERI NË CLIRIMIN E KUTIVE
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule i ka bërë thirrje popullit opozitar të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” se do të qendrojnë këtu, deri sa ti jepet fund varfërisë, pasi sipas Dules, “Vendi po zhytet përditë e më thellë në varfëri, ndërsa kryeministri dhe qeveria e tij na thotëe se kemi rritjen më të madhe ekonomike”, kjo sipas Dules na bën të besojmë që ky kryeministër nuk jeton në këtë vend.

“Qeveria dhe kryeministri ynë nuk janë këtu, nuk jetojnë me ne, nuk janë as me ata që kanë detyruar nesër të dalin në shesh për të festuar 1 Majin, se një qeveri që i mohon popullit bukën e gojës nuk mund të jetë për popullin”, - theksoi Dule

Dule ka deklaruar se PS e aleatët e saj do vazhdojnë të protestojnë deri në clirimin e kutive të ngujuara.
“Ne do të jemi këtu deri sa të clirojmë kutitë e ngujuara, jemi sot këtu me ju, nesër, gjatë gjithë ditëëve, sa të jetë e nevojshme, deri sa të hapim rrugët drejt integrimit e liberalizimit të vizave” – përfundoi Dule.

ORA: 19:10- GJINUSHI: QEVERITE E PAPERGJEGJSHME LARGOHEN ME PROTESTA
“Berishës i kërkojmë të dorëzojë votën e vjedhur” u shpreh kreu i PSD, Skender Gjinushi i cili nënvizoi se protesta e sotme zhvillohet në meër të të gjithë shqiptarëve që sic tha ai nuk meritojnë këtë qeveri.

“Nuk merret pushteti me protesta, thotë mazhoranca. Pushteti nuk merret me protesta por qeveritë e papërgjegjshme largohen me protesta” tha Gjinushi.

ORA: 19:12- MILO: PROTESTA, SINJAL ALARMI PER DEMOKRACINE
“Protesta e qytetareve sot dhe nesër nuk ka vetëm një motiv, hapja e kutive ku fshihet krimi elektoral, ajo është shumë më e gjerë, është sinjal alarmi për rrezikun që i kanoset demokracisë” nënvizoi kryetari i PDS-së, Paskal Milo gjatë fjalës së tij në protstën e madhe të opozitës.

Ndërsa bëri një paralelizëm të situatës politike në vend me protestën e kaluar të 20 nëntorit, Milo tha se qytetarët knë të njëjtat shqetësime e të njëjtat halle ndërsa mazhoranca vazhdon të ketë mungesë vullneti për ti dhënë fund krizës.

“Sot bashkohem këtu me qindra mijëra vetë që kanë ardhur për herë të dytë në mënyrë kaq masive për të demostruar edhe njëherë tjetër vullnetin e patundur për të kërkuar zgjidhje politike. Duam të ndërtojmë përfundimisht një Shqipëri të lirë, demokratike dhe europiane u shpreh Milo.

ORA 18: 50 - SHALSI: KAUZA JONË NUK BËN HAPA PRAPA
Deputeti i Partisë Socialiste Eduart Shalsi deklaroi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se nga sot nis një rrugë që nuk ka më kthim mbrapa.
“Sot jemi më të vendosur se kurrë të mos bëjmë asnjë hap mbrapa. Ju i jeni bashkuar kësaj kauze jo për ne po për veten tuaj, me kokëfortësinë e saj kjo qeveri dhe ky kryerministër i kanë bërë kauzës sonë një ndër të madh” – deklaroi Shalsi.

Duke e vënë theksin tek situata e vështirë ekonomike Shalsi nënvizoi se “Kryeministri flet se jetojmë në lulëzim ekonomik, por ata po tallen, ne nuk do lejojmë që ta kthejnë Shqipërinë mbrapa. Kjo qeveri pa asnjë lidhje me hallet e popullit, nuk hap vende pune, por më shumë po shton të papunët, nuk mund ta lejojmëe Sali berishën të tallet më” – theksoi Shalsi.

ORA: 18:27- BRACE: SOT ESHTE DITA TE RREZOHET SALI BERISHA
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Brace, në fjalën e tij gjatë protestës maratonë bëri thirrje ti jepet fund qeverisë së një familje të vetme, duke deklaruar se “ka ardhur koha ti japim fund qeverisjes nga një familje e vetme, ndaj sot ne jemi këtu më shumë se kurrë, më shumë se në 28 qershor” – tha Brace.

Sipas tij sot është dita ku duhet ti jepet fund pushtetit të Sali Berishës, pikërisht nga ky shesh, sipas Braces.
“Ne jemi të gjithë në këmbë, fuqia jonë është për liri për demokraci. Sot është koha, sot është dita, ky është momenti që të rrëzohet Sali Berisha”, -nënvizoi Brace.

ORA: 18: 20- RUCI: ZGJIDHNI KRIZEN OSE LARGOHUNI
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruci ka hapur protestën maratonë të Partisë Socialiste me fjalët “Mirëmbrëma e gjithë Shqipëria, të gjithë ju që keni dalë në këtë bulevard që është zemra e atdheut tone të rrezikuar.”

Praninë e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria në Shesh, Ruci e ka quajtur rrugën e vetme të drejtësisë, ku qytetari i lirë përballet me pushtetin.
“Mirësekeniardhur në këtë provë të qytetarit para pushtetit, përpara atij pushteti që e vjedh qytetarin, që e lë pa buke, që i shtenjton atij ilacet, që e ka lënë të mbyllur në geto duke qënë në mes të Evropës” – theksoi Ruci.

Ruci ka nënvizuar në fjalën e tij se, kjo qeveri ka vetëm një rrugë, ose të hapë kutitë, ose të largohet.
“Është momenti final kur qytetari jep shembullin e tij për fatin e demokracisë. Ose zgjidhje të krizës politike ose zgjedhje të parakohshme. Sot ka vetëm një rrugë, ose të pranojë zgjidhjen e krizës, ose të largohet qeveria” – tha Ruci.

Sipas Rucit, protestuesit e sotëm do jenë dëshmitarët e parë të ikjes së kësaj eqeverie, që e ka futur vendin në një tunel të errët.
“Sot ju jeni pjesë e dëshmisë së madhe se kjo qeveri në ikje meriton ikjen sa më të shpejtë. Ne do të jemi këtu pambarim, motra dhe vëllezër. Sot Shqipëria ka hyrë në një tunel të errët, por ju me dëshminë tuaj sot këtu po tregoni që në fund të këtij tuneli ka një dritë” – deklaroi Ruci më tej.

ORA: 18:15- PROTESTUESIT MBERRIJNE PERPARA KRYEMINISTRISE
Turma me qytetarët që i janë bashkuar protestës së madhe të opozitës në sheshin Skënderbej, e udhëhequr nga kryetari e deputetët e Partisë Socialiste dhe aletaët e PS sapo ka mbërritur në sheshin përpara kryeministrisë, ndërsa i gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me njerëz.
Opozita do të ngrejë sërish zërin, sikudër bëri në protestën e 20 nëntorit, përmes një proteste pa limit për ti hapur rrugën transprencës së plotë të zgjedhjeve.

ORA 14:30 - DEPUTETET E PS: BERISHA HIQ GARDEN NGA BULEVARDI
Deputeti socialist Ditmir Bushati denoncoi në News 24 përpjeket për të penguar vendosjen e skelës, pasi policia e qarkullimit rrugor nuk kishte ndaluar lëvizjen e makinave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që ishte parashikuar të niste që në orën 12.00 të ditës së sotme.

Më tej, deputeti socialist denoncoi dhe praninë e forcave të gardës në bulevard. “ Jo vetëm kaq, por forcat e Gardës patën guximin të godasin deptuetët Eduard Shalsi dhe Ilir Gjoni”.
I bëj thirrje Berishës të heqë gardën, Gjithashtu i bëj thirrje Presidentit Topi të jetë shumë i kujdesshëm”- deklaroi Bushati në një prononcim për NewsS24 direkt nga sheshi ku po ndërtohej skela e podiumit.

Në një sqarim të dytë në News24 deputeti Shalsi tha se “kemi përballë një polici të corientuar” cilësoi incidentin “si provokime të formave të ndryshme” dhe nga forca të gardës.
“Bëjmë thirrje se jemi të vendosur të protestojmë në mënyrë paqësore” - nënvizoi Shalsi. (bw/albeu)
Shtuar më 01/05/2010, ora 03:26
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori