Protesta e PD alarmon ndërkombëtarët, Hahn: Rikthehuni në Kuvend. Mogherini vizitë në Tiranë
Protesta e opozitës e cila ditën e sotme është në ditën e pestë të saj ka tërhequr vëmëndjen e ndërkombatarëve të cilët kanë deklaruar se e respektojnë nismën por sipas tyre duhet të kthehen në Kuvend.

Me anë të një statusi në llogarinë e tij ‘Twitter’, Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn ka reaguar për situatën politike në vend, protestën dhe bojkotin e Kuvendit nga ana e opozitës.

Hahn shprehet se debati politik duhet të zhvillohet brenda Parlamentit, ndërsa bashkëpunimi qeveri-opozitë është thelbësor për anëtarësimin e vendit në BE.

Brukseli do të dërgojë për vizitë në Shqipëri përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në Mars, ku zyrtarja evropiane do të nisë një tur vizitash në Ballkanin Perëndimor, ku në axhendë është edhe Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e BE në Tiranë, e cila tha se Mogherini do të vizitojë Ballkanin Perëndimor nga data 1-4 Mars. Pjesë e vizitës janë dhe Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

Statusi i plotë i Hahn në Twitter

“Më vjen keq për bojkotin parlamentar të shpallur nga opozita. Debati politik nuk duhet të bëhet jashtë, por brenda Parlamentit. Bashkëpunimi me qeverisë dhe opozitës është vendimtar për synimet e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Është veçanërisht e një rëndësie të madhe që jeta parlamentare të vijojë në një kohë kur reforma thelbësore janë në axhendën e parlamentit, siç është ngritja e institucioneve të vettingut në kuadër të reformës në drejtësi, përfshirë edhe rekomandimet e misionit të OSBE/ODIHR të cilat janë thelbësore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme këtë vit.

Këto reforma janë të rëndësishme për Shqipërinë që të vijojë rrugën e saj të integrimit në BE”- ka thënë Hahn./albeu.com/


Shtuar më 22/02/2017, ora 14:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori