Rama transmeton live protestën e opozitës dhe u kujton viktimat e 21 Janarit (VIDEO)
Opozita me të gjitha subjektet e saj dhe mbështetësit janë mbledhur sot në Tiranë për të protestuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga raportimet e para mësohet se gati 8 mijë shqiptarë janë nisur drejt kryeministrisë ku janë sjellë edhe çadra për tu ngujuar. Dhe pse ka vetëm pak minuta që protesta e PD-së ka filluar kryeministri i vendit i ka kthyer një përgjigje Bashës dhe protestuesve para kryeministrisë.

Rama me anë të një statusi në Facebook u kujton atyre viktimat e 21 Janarit si dhe shton se do të ndjekim dhe do të dëgjojmë me respekt çdo shprehje pakënaqësie të pakicës.

Postimi i plotë i Ramës

Vetëm 6 vjet më parë, Ziveri, Hekurani, Aleksi, Faiku u vranë nga pushkët e shtetit të kapur prej pushtetit, pikërisht në bulevardin ku në këtë moment protestohet, pa gardhe telash me gjemba dhe asnjë frikë e trysni nga shteti.

Dhjetra të tjerë u plagosën nga plumbat. Prandaj s'mund të mos jemi sot krenarë, edhe për këtë ndryshim kaq rrënjësor në rrugën tonë për të bërë shtet, ku padiskutim ka rezistencë e pakënaqësira të natyrshme.

Është padyshim një rrugë shumë e vështirë. Reformat e vërteta nuk janë aspak të lehta, madje shpesh janë operacione mjaft të dhimbshme. Por s'ka asnjë të ardhme të sigurt për vendin, shoqërinë, fëmijët tanë, pa i operuar me kurajo pjesët e kalbëzuara në vite të organizmit të shtetit. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kuptojnë këtë.

Ata janë të vetëdijshëm edhe për vështirësitë, edhe për domosdoshmërinë e reformave.

Shqipëria dhe shqiptarët e lënë 25 vjet në baltën e një tranzicioni të gjatë pa reforma, meritojnë vazhdimin me vendosmëri të tyre, e veçanërisht të reformës në drejtësi!

E cila duhet zbatohet një orë e më parë duke filluar nga vettingu. Ne do të ndjekim e dëgjojmë me respekt, çdo shprehje pakënaqësie të pakicës, por nuk do të ndalemi asnjë minutë në përmbushjen e misionit tonë për të bërë shtet.

Ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë!/albeu.com/


Shtuar më 18/02/2017, ora 12:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori