Protesta e opozitës, Noka: Do përdorim çdo mjet për rrëzimin e qeverisë
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka nga çadra përballë kryeministrisë ku opozita vazhdon protestën e saj në ditën e 7 të saj, ka deklaruar se protesta e opozitës do të vazhdojë deri në rrëzimin e qeverisë.

“Qeveria e ka humbur legjitimitetin. Do përdorim çdo mjet demokratik për rrëzimin e qeverisë.

Nuk i rikthehemi normalitetit. Të jeni të sigurt që opozita përfaqëson vullnetin e qytetarëve. Mes interesave të qytetarëve dhe vullnetit të tyre, gjithmonë ka triumfuar dhe do triumfojë vullneti i qytetarëve”, u shpreh Noka për Report TV.

I pyetur për vonesat në procesin e integrimit, Noka tha se nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në BE pa u çliruar nga krimi dhe korrupsioni.

“Prioriteti numër një është që vendi të ketë liri dhe demokraci. Një vend pa liri, demokraci, i rrënuar, i shkatërruar, i tëri i mbuluar me drogë, i mbuluar me krim dhe korrupsion, nuk mund të ketë integrim pa u çliruar nga krimi, korrupsioni, droga dhe pa u vendosur standardet demokratike. Regresin e përfaqësojnë këta që janë në pushtet. Nëse sot Shqipëria është larg hapave të integri mit është për shkak të kësaj oligarkie që është në pushtet”, tha Noka.

Më herët kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka rritur ndjeshëm tonet duke u shprehur se:

“Kushdo që godet qytetarët dhe protestën, do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat, atyre që ju ndëshkojnë pa të drejtë.

Kush luan me popullin t’i bëjë llogaritë mirë, se ndryshe vala popullore do t’i fshijë nga zyrat. Kjo është një lëvizje popullore pa kthim, nuk është një manifestim partiak. Populli nuk mund të durojë më.

Durimit të popullit i ka ardhur fundi, edhe durimit tonë. Boll me akte të paligjshme në kurriz të shqiptarëve, në kurriz të biznesit, por vjen momenti kur nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur, kur zemërata popullore të rritet.

Kur ju godasin, mos ktheni faqen tjetër, por goditini me grusht. Për çdo padrejtësi goditini me grusht, koha kur populli trajtohet si dele po merr fund”, tha Basha./albeu.com/

Shtuar më 24/02/2017, ora 16:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori