Protesta e opozitës, 4 të rinjtë FRPD-së: Erdhëm nga Perëndimi të rrëzojmë Ramën
Ata janë vetëm 4 prej tyre. Në tendën e ngritur para godinës së qeverisë i sheh të qeshur mes qindra të tjerëve. Ngjallin shpresë sepse vijnë nga Perëndimi.

Janë shkolluar dhe kualifikuar në SHBA, Angli, Francë, Portugali dhe Austri. Besart Xhaferri, Gjergji Meko, Luis Hoxha dhe Andi Muhametaj janë të rinjtë që i sheh në krye të protestës së opozitës. Ata thonë për “Gazeta Shqiptare” se nuk lëvizin që aty derisa Edi Rama t’i hapë rrugën një qeverie teknike. Për ta është e rëndësishme vota e lirë.

Andej nga vijnë vota konsiderohet si e shenjtë, ndaj dhe njëri prej tyre, Besarti, gjatë kohës që në Londër zhvilloheshin zgjedhjet për kreun e PD-së në Angli, ka pritur dy orë në radhë për të votuar. Katër të rinjtë kanë krijuar një lidhje të fortë me PDnë, duke e nisur nga Forumi Rinor, ndaj ishin ata që propozuan protestën në çadër.

Luisi ngjan pak si më “radikal”, sepse dyshon te dorëzimi i Ramës, ndaj grevën e urisë e shikon si një “plan B” në rastin më të keq.

Djemtë janë gati të hyjnë edhe në grevë urie vetëm e vetëm që bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri të mund të kenë një të ardhme më të mirë, e cila nis me garantimin e votës së lirë. Tek asnjëri prej tyre nuk ka shenja lodhjeje apo pesimizmi. Brenda çadrës kanë ideuar “këndin e rinisë”.

Aty mblidhen të gjithë bashkë. I bien kitarës, lexojnë poezi, bëjnë biseda të shumta… E mbajnë veten zgjuar duke festuar derisa vijnë të tjerët, djemtë e turnit për t’i ndërruar. Dhe kështu vjen edhe një ditë e re, me shpresën se do të jetë dita që presin të gjithë…

BESART XHAFERRI

Besart Xhaferri ka studiuar në Angli për ekonomi. Që 19 vjeç hapi biznesin e tij në Angli me 12 veta.

Ka një kompani që ka degët e veta në Shqipëri, Bullgari dhe Serbi. Në Shqipëri thotë se kishin vështirësi për shkak të burokracive, taksave dhe presionit tatimor, ndërsa në Bullgari dhe Serbi gjetën lehtësira.

“U ktheva në Shqipëri për të krijuar vende pune dhe jo për të kërkuar punë, por kjo hasi në vështirësi pasi nuk ka investues. Për shkak të biznesit tim unë njoh nga të gjitha partitë. Rekrutoj të rinjtë për t’u shkolluar në Angli. Por jam anëtarësuar në FRPD pasi shoh frymën e ndryshimit. Dëshira ime personale është që të demaskoj këtë fasadë që e ka veshur Shqipërinë.

Nuk lëviz nga Shqipëria derisa të arrijmë synimin tonë, që qytetarët shqiptarë të mund të votojnë të lirë. Unë do të lëviz nga ky shesh derisa të damkosim këtë fasadë dhe të sigurojmë votën e lirë. Kërkojmë të solidarizohen me ne, studentët, pedagogët, të gjithë qytetarët, pasi vetëm të bashkuar do të mund të garantojmë një të ardhme ndryshe”, – shprehet i riu me origjinë nga Skrapari. Besarti thotë se FRPD-ja ka detajuar të gjitha detajet nën tendë, duke krijuar edhe këndin e të rinjve, sepse në këtë mënyrë orët kalojnë më shpejt.

GJERGJI MEKO Gjergji është një djalë i imët.

Ndryshe nga të tjerët, ndihet paska i shqetësuar. Shikon herë pas here celularin. Ka shtyrë bursën në Portugali vetëm prej protestës së opozitës.

Në telefon komunikon me ambasadën portugeze sepse duhej të ishte atje, por është mes të rinjve të tjerë nën tendën përballë Kryeministrisë. Madje ai thotë me shqetësim se ne këtu nuk kemi ambasadë portugeze, ndaj i duhet të shkojë në Romë në mungesë të saj.

Më parë ka studiuar në SHBA dhe në Tiranë vjen për të kryer detyrën si qytetar, të kontribuojë për një të ardhme më të mirë, duke filluar me garantimin e votës së lirë. “Jam i gatshëm të rri në shesh derisa të arrijmë synimin tonë, qeverinë teknike, e cila të mund të bëhet garante e zgjedhjeve të lira. Le të na bashkohen edhe qytetarët e tjerë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të dalim të fituar. Nisja ka nisur dhe për ne nuk ka kthim pas”, – shprehet Gjergji.

LUIS HOXHA

Luisi është një djalë i shkathët, njeh 4 gjuhë perëndimore dhe ka ambicie për politikë. E njeh shumë mirë atë dhe e inkurajon kuota e deklaruar nga kryetari Basha që 35 për qind e listës së deputetëve të ardhshëm të PDsë të jetë me të rinjtë. Dikush pranë Luisit thotë me të qeshur se “ky është Genc Ruli i vogël”.

Vetë ai qesh. Luisi ka studiuar në Francë dhe punon në një kompani ngarkim-shkarkimi në portin e Durrësit. Ka krijuar një lidhje të fortë me FRPD-në dhe është më “radikali” në grupin e të rinjve. Ai thotë se është i gatshëm të hyjë edhe në grevë urie nëse Edi Rama nuk i hap rrugë zgjidhjes.

“Neve çdo ditë po na bashkohen shokët dhe miqtë tanë në protestë. Bëhen edhe kureshtarë dhe vijnë me ne në çadër. Ndërrohemi me turne. Nuk do të tërhiqemi. Kemi dhe mbështetjen e fortë të kryetarit Lulzim Basha. Mbrëmë ka qëndruar gjithë natën me ne. Është njeri i thjeshtë dhe vizionar. Na kërkon mendim dhe ne nuk ngurrojmë t’i themi mendimet tona. Besojmë se bashkërisht të gjithë do t’ia dalim në rrugën që kemi nisur”, – shprehet Luisi.

ANDI MUHAMETAJ

Andi Muhametaj ka studiuar në Francë për shkenca menaxhimi, por kthimin e tij në Tiranë e bëri jetesa e vështirë e të rinjve shqiptarë. Ndaj vendosi t’u bashkohet të rinjve demokratë, për të protestuar edhe në emër të të gjithë rinisë shqiptare. “Ndjesia e veçantë që përcillet në ambientet e çadrës së ngritur është diçka që më bën të ndihem krenar që jam pjesë e saj.

Sidomos kur mendoj faktin që shqiptarët të bashkuar nga të gjitha qytetet e ndryshme të vendit kanë unifikuar zërin dhe kanë treguar vendosmërinë për të mos u larguar nga sheshi pa arritur qëllimin, të rikthejnë atë ndjesinë pozitive që, më në fund po duket drita në fund të tunelit.

Në fund të fundit, nuk kemi gjë për të humbur, por gjithçka për të fituar nëse qëllimi arrihet. Herët a vonë qeveria do të jetë e detyruar të reagojë, pasi nuk e ka Shqipërinë pronë të vetën private. Shqipëria është e shqiptarëve dhe, përderisa një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë dalë në këtë shesh dhe ndodhen në këtë çadër, ata janë të detyruar të reagojnë dhe të plotësojnë kërkesat”, – thotë Andi./albeu.com/
Shtuar më 21/02/2017, ora 11:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori