Po transportonin drogë, arrestohen 4 shqiptarë në Greqi

Sasia e madhe e kanabisit që transportohej nga kufiri nga katër shqiptarë për llogari të një bashkatdhetari të identifikuar, nuk ka mbërritur kurrë në destinacionin e saj, pasi u arrestuan të shtunën vonë mbrëma gjatë një aksioni të Agjencisë së Drogës në Igumenicë, raporton Protothema.

Pas informacioneve që u ishin dhënë, policia ka lokalizuar në qytetin e Igumenicës dy makina në të cilat po udhëtonin autorët, nga dy, dhe i ka ndaluar për kontroll. Gjatë kontrollit të mëpasshëm, brenda një makine u gjetën 48 pako me kanabis të papërpunuar me peshë totale 66 kg e 690 gram. Siç rezultoi nga hetimi i rastit, makina tjetër vepronte si pararendëse për të shmangur çdo bllokim.

Dy automjetet janë konfiskuar nga policia së bashku me 2190 euro dhe 7 aparate celularë, të cilat iu gjetën autorëve, ndaj të cilëve është ngritur një dosje për import, transport dhe trafikim të lëndëve narkotike si vepër penale dhe janë marrënë Prokurorinë e Rrethit Thesproti. Me të njëjtat akuza përballet edhe personi përgjegjës i çështjes në kërkim./albeu.com


Shtuar 1.08.2022 09:01