Prononcimet e fundit rreth vdekjes se presidentit te Kosoves.
Albeu.com
Ngushllime nga sekretarja e pergjithshme Amerikane Kondoliza Rajs, poashtu dhe nga ish kryetari i shteteve te bashkuara te Amerikes Bill Klinton, si dhe telegram urime tjera te derguara familjes dhe popullit te kosoves.Me rastin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, i ka shprehur nderime udhëheqjes së presidentit të ndjerë.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me popullin e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të tolerancës ndër etnike, që presidenti Rugova e çmoi shumë lartë", thuhet në një kumtesë të sekretares Rajs.

- Koloneli i SHPK-së Sheremet Ahmeti i ka dërguar telegram ngushëllimi Presidencës së Kosovës dhe familjes Rugova

Koloneli i SHPK-së Sheremet Ahmeti i ka dërguar telegram ngushëllimi Presidencës së Kosovës dhe familjes Rugova, në të cilin ndër të tjera thuhet: "Shërbimi Policor i Kosovës, ndjen dhimbje dhe pikëllim për vdekjen e Presidentit, i cili me punën e tij tërë jetën ia kushtoi popullit dhe Kosovës. Zoti ju dhashtë fuqi që sa më lehtë t'i tejkaloni këto momente dhimbjeje dhe pikëllimi, thuhet midis tjerash në telegramin e kolenel Sheremet Ahmetit.

Ish‑ kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano ka shprehur solidaritetin dhe dhimbjen e tij, për familjarët, miqtë dhe gjithë popullin e Kosovës, pδr vdekjen e Presidentit Ibrahim Rugova.

"Eshtë një humbje e madhe jo vetëm për familjarët, klasën politike dhe popullin e Kosovës, por dhe humbje e një figure të shquar e kombit shqiptar i cili me filozofinë e tij ka personifikuar integrimin dhe shpirtin e bashkëjetesës, është humbja e simbolit të pavarësisë kosovare, i cili bëri gjithçka për të ruajtur konsensusin brenda dhe jashtë Kosovës", ka thënë Nano.

-Ish-Presidenti amerikan Bill Klinton ka shprehur dhembjen e tij të thellë për vdekjen e Presidentit Rugova

Ish-Presidenti amerikan Bill Klinton ka shprehur dhembjen e tij të thellë për vdekjen e Presidentit Rugova, duke e cilësuar humbje të madhe për Kosovën.

"Në rend të parë, dua t'i shpreh ngushllimet e mia të thella popullit të Kosovës, me rastin e vdekjes së Presidentit Rugova.

Për mua është dhimbje personale, sepse pata nderin ta njoh personalisht dhe pata respekt dhe admirim të madh për të.

Me Presidentin Rugova jam takur shumë herë në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë kënaqësi, sa herë e kam takuar, sepse çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij.

Vdekja e Presidentit Rugova është humbje e madhe për Kosovën, por unë shpresoj se vdekja e Dr. Rugovës do t'i inspirojë të gjithë kosovarët që të vazhdojnë të punojnë më me ngulm për paqe dhe liri", thuhet midis tjerash në deklaratën e ish presidnetit amerikan, Bill Klinton.

- OLLBRAJT: Mbajmë zi për ndërrimin e jetës së Presidentit Rugova dhe e kujtojmë trashëgiminë e tij

Ish‑Sekretarja amerikane e Shtetit Medlin Ollbrajt, i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes së Presidentit Rugova dhe tërë popullit të Kosovës. Obright ka rikujtuar edhe një herë kohën që kishte njohur Presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se është e nderuar që e ka njohur atë.

"Mbajmë zi për ndërrimin e jetës së Presidentit Rugova dhe e kujtojmë trashëgiminë e tij. Vdekja e tij na ka prekur të gjithë neve. Dhe, unë isha e nderuar që e njoha", ka deklaruar zonja Ollbrajt.

- RIÇARD HOLLBRUK: Mbaj zi për vdekjen e Presidentit Rugova, së bashku me tërë popullin e Kosovës

"Mbaj zi për vdekjen e Presidentit Rugova, së bashku me tërë popullin e Kosovës. është shprehur diplomati amerikan Riçard Hollbruk.

Derisa Kosova e fitoi lirinë nën udhëheqësin e tij, tani përjetoi një humbje të tmerrshme në një pikë kritike, kur shumë punë mbeten për t'u bërë. Apeloj tek liderët kosovarë të bashkohen dhe të punojnë së bashku, për të arritur pavarësinë për të cilën President Rugova luftoi", është shprehur Hollbruk.

- POLL VOLLFOVIC:Dëshiroj t'i shprehë ngushëllimet e sinqerta popullit dhe Qeverisë së Kosovës për humbjen e presidentit Rugova

Dëshiroj t'i shprehë ngushëllimet e sinqerta popullit dhe Qeverisë së Kosovës për humbjen e presidentit Rugova, thuhet në deklaratën e presidentit të Bankës Botërore, Pol Volfovic.

Rugova ka lënë pas vete një trashëgimi impresive të veprimit të përkushtuar për paqe dhe realizim të të drejtave të popullit të Kosovës dhe e kujtoj atë si një luftëtar të madh për të drejtat e popullit të tij dhe si njeri modern dhe të arsyeshëm.

- KëSHILLI KOMBëTAR SHQIPTARO -AMERIKAN

Me pikëllimin më të madh morëm lajmin për vdekjen e Presidentit të Kosoves, Dr. Ibrahim Rugova, thuhet në deklaratën e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Ky lajm është tepër i hidhur për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar. Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan i shprehë ngushëllimet më të thella familjes së presidentit Rugova dhe mbarë Kosovës.

Don Nosh Gjolaj: "Zoti e bekoftë Kosovën, është fjala, e cila do të na mungojë"

"Zoti e bekoftë Kosovën, është fjala, e cila do të na mungojë", ishte motoja në meshën përkujtimore për Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, që u mbajt sot në Kishen Katolike Shën Ndou në Prishtinë.

Kur bota nuk kishte informacione për vuajtjet e popullit të Kosovës, ishte Presidenti Rugova ai, i cili me politikën e tij bëri që bota të kuptojë se kosovarët përveç lirisë dhe të drejtave të barabarta me popujt tjerë nuk kërkojnë asgjë tjetër, tha Don Nosh Gjolaj famullitar i kësaj kishe.

Ali Aliu: Ishte një frymë e re që solli vlerësime të reja në letërsi

Ishte një frymë e re që solli vlerësime të reja në letërsi, njeri që rrezatonte një qetësi, paqe e pajtim me njerëzit, ka vlerësuar kritiku ynë i mirënjohur letrar akademik Ali Aliu ne deklaratën e tij lidhur me personalitetin dhe veprën e Ibrahim Rugovës.

-Agjencitë e lajmeve botërore shkruajnë për personalitetin e Presidentit Rugova

"Vdekja e Rugovës i lë pa lider shqiptarët, të cilët përbëjnë 90 përqind të popullsisë së Kosovës, në prag të fillimit të negociatave për statusin final", shkruan agjencia e lajmeve Rojters.

"Rugova, i cili ka qenë udhëheqës i fuqishëm e karizmatik, nuk ka ndonjë trashëgimtar të qartë, si President apo si udhëheqës i ekipit negociator të Kosovës", shkruan kjo agjenci.

"Pritet që diplomatët perëndimorë t'i drejtojnë negociatat drejt një forme të pavarësisë, nën mbikëqyrje të vazhdueshme ndërkombëtare, gjatë disa viteve të ardhshme", shkruan Rojters.

Ndërkaq, agjencia e lajmeve Asoshieted Pres shkruan se vdekja e Presidentit Rugova ka lënë një vakuum të madh në skenën politike të Kosovës, duke shtuar se skena politika kosovare nuk është e bashkuar në prag të bisedimeve për statusin e Kosovë.

AP përkujton se liderët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për qetësi dhe unitet, duke shprehur dronë se vdekja e Presidentit Rugova mund të shkaktojë destabilizimin e situatës në Kosovë.

-Biografia e Presidentit Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.
Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave. Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut.
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë partiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992. LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000, si dhe zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe zgjedhjet e dyta lokale më 2002.

-Figura e Presidentit Rugova, ishte nderuar me çmime dhe tituj të shumtë ndërkombëtarë

- Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

- Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.

- Më 1998, Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

- Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster të Gjermanisë, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias

- Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë "Manuel Carrasco i Formiguera", në Barcelonë, Spanjë.

- Në vitin 2004 Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës Senator Nderi nga Fonadcioni pan evoprian Coudenhove‑Kalergi.

- Po në vitin 2004 u nderua nga Komunuelthi i Pensilvanisë (SHBA) "Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

- Në vitin 2004, Ibrahim Rugova më 2004 u shpall Honoris Causa (Doktor Nderi) i Universitetit të Tiranës.
Shtuar më 22/01/2006, ora 21:51
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori