Pronar i një hoteli, kush është biznesmeni që u ekzekutua mbrëmë në Dibër (VIDEO)
Pëlqej
Zbardhen detaje të reja për 32-vjeçarin e ekzekutuar mbrëmë rreth orës 22:30 në Maqellarë të Dibrës.

Sipas dëshmive të para të mbledhura nga policia, besohet se autorët e këtij atentati kanë qenë dy persona.

Duket se akti i rëndë është kryer për “larje hesapesh” pasi ekzekutorët e kanë thirrur në emër viktimën Elsi Kosiqi dhe më pas e kanë qëlluar me tre plumba në kraharor, në oborrin e vilës së tij, shkruan ABC News.

Shtëpia e Kosiqit është, një vilë tre katëshe, në qendër të Maqellarës, buzë rrugës kryesore.

Sipas policisë autorët kanë lënë disa gjurmë në vendin e ngjarjes, çka mund të ndihmojë grupin hetimor në zbardhjen e krimit dhe identifikimin e autorëve.

Nga të dhënat e para, thuhet se Kosiqi sapo ishte kthyer nga një udhëtim i shkurtër në Maqedoni.

Ai kishte parkuar makinën dhe po mbyllte portën e shtëpisë. Autorët që e kanë ndjekur nga pas e kanë thirrur në emër dhe e kanë qëlluar për vdekje.

Policia ka shoqëruar disa persona, midis tyre edhe nga ata që ishin në konflikt me viktimën. Por ende nuk ka një të dyshuar për krimin.

Burimet policore thonë se Elsi Kosiqi kishte jetuar për shumë vite në Itali dhe me paratë e emigracionit, bashkë me vëllezërit kishin ngritur së fundmi një hotel në zonën e llixhave në Dibër. /albeu.com/

Shtuar më 20/03/2018, ora 10:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori