Prokuroria thërret deputetët Doshi e Stërkaj
Grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit, me urdhër të drejtuesit të këtij institucioni prokurorit Sokol Malaj ka njoftuar deputetët Tom Doshi dhe Paulin Stërkaj që të paraqiten për t'u marrë në pyetje në lidhje me demonstratën e dhunshme të zhvilluar gjatë pasdites së premte para kryeministrisë.

Deputetët Doshi dhe Stërkaj pritet të paraqiten gjatë kësaj jave në prokurori për të dhënë shpjegime. Pyetja e tyre do të bëhet me cilësinë e personave që kanë dijeni për fakte, pasi vetëm pak minuta para se të shpërthej përleshja mes demonstruesve dhe policisë, dy deputetët janë fiksuar nga kamerat e sigurisë dhe televizioneve të ndryshme që kanë kaluar aty.

“Nga shikimi i pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të institucionit të kryeministrisë, regjistrimit të kryer nga Garda dhe Policia si dhe nga mediat e ndryshme, janë fiksuar fytyrat e deputeteve të Partisë Socialiste Tom Doshi dhe Paulin Stërkaj. Të dy këto deputetë të shoqëruar nga personat e ndryshëm, kanë kaluar mes kordonit të policisë dhe demonstruesve vetëm pak minuta para se mes tyre të shpërthejë dhuna" kanë thënë burime të Prokurorisë së Përgjithshme”.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë filluar identifikimin e demonstruesve të dhunshëm të cilët duken qartë në pamjet filmike që godasin forcat e policisë duke qëlluar ndaj tyre me sende të forta.

Përveç kësaj, të gjitha ata personat që tashmë janë identifikuar duke goditur policinë dhe shkatërruar pronën publike apo private do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë. “Me urdhër të drejtuesit të prokurorisë është kërkuar nga policia, që për çdo person të identifikueshëm qartë nga kamerat e sigurisë që ushtron dhunë ndaj policisë, gardistëve apo shkatërron pronën të kryhet arrestimi i tij dhe të vihet para përgjegjësisë penale”.

“Gjithashtu, prokuroria ka pranuar tashmë rreth 2 mijë foto të printuara nga Instituti i Policisë Shkencore, të fokusuara nga kamerat e sigurisë dhe është urdhëruar që në bashkëpunim me policinë të kryhen arrestimet e tyre ku do që ndodhen në gjithë qytetet e Shqipërisë” thuhet nga burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme, duke shtuar se këto foto i janë shpërndarë tashmë të gjithë Komisariateve të Policisë në vend. (shekulli)
Shtuar më 25/01/2011, ora 12:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori