Prokuroria merr një vendim për policin që denoncoi rastin e Xhiselës
Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë hetimet për çështjen penale ku pretendohej se ishte kërcënuar dhe kanosur me jetë oficeri i policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuho, i cili tashmë ka braktisur detyrën dhe është larguar në Zvicër, ku ka kërkuar statusin e azilantit.

Emri i Emiljano Nuho u bë mjaft i njohur në muajin shtator 2018, pasi ishte polici që denoncoi në media fenomenin “Xhisiela”, një histori sentimentale mes një vajze adoleshente të quajtur Xhisiela Maloku dhe djalit të deputetit të PS Rahman Rraja, Rrexhep Rraja, i cili për këtë ngjarje u procedua penalisht nga prokuroria për akuzën e “Përndjekjes” dhe u dënua në dhjetor 2018 nga gjykata e Krujës. Vendimi për pushimin e hetimeve është marë pak ditë më parë nga prokuroria e kryeqytetit, e cila gjatë 6 muajve hetime nuk ka mundur të sigurojë të dhëna dhe prova se Emiljano Nuho, ishte kërcënuar me jetë gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas prokurorisë janë kryer verifikimi i pamjeve filmike të komisariatit të Fushë-Krujës ku rezultoi se në datën dhe orën që pretendon se Nuho është kërcënuar me jetë nga zyrtarë shtetërorë të shoqëruar nga kontigjentë kriminalë, nuk ka pasur asnjë prej tyre në komisariat.

Njëherësh janë verifikuar pamjet filmike të një lokali, ku Nuho ka zhvilluar një takim me disa të afërm të Rrajës, ku sipas prokurorisë në këto filmime nuk ka asnjë veprim që mund të përmbushë kushtet e kanosjes së jetës së Emiljano Nuhus.

Emiljano Nuhu, deklaroi në shtator 2018 se një grup me 10 persona, mes tyre vetë deputeti Rraja, kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi por edhe deputeti i PS Taulant Balla kanë shkuar dhe e kanë kërcënuar në komisariat, pasi kanë qenë të shoqërua dhe me persona me rekorde kriminale.
Shtuar më 05/04/2019, ora 20:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori