Prokuroria e Përgjithshme krijon strukturën “Për dekriminalizimin”
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka firmosur Urdhërin për krijimin e strukturës së posaçme për verifikimin e integritetit të zyrtarëve publikë, në zbatim të ligjit të njohur ndryshe edhe si ligji "Për dekriminalizimin...”.

Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Kreu VII i Vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr.17 datë 04.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015...”, përcakton organin e Prokurorisë si institucioni përgjegjës për verifikimin e integritetit të zyrtarëve në të gjithë administratën publike.

Bazuar në aktet ligjore të mësipërme, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron krijimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, i cili do të përbëhet nga 2 prokurorë, 3 oficerë të Policisë Gjyqësore dhe një specialist i Teknologjisë së Informacionit.

Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron edhe;
- Krijimin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave për verifikim dhe krijimin e regjistrit për regjistrimin e formularëve të vetëdeklarimit; si edhe,
- Krijimin e një sistemi elektronik për regjistrimin, ruajtjen dhe dokumentimin e kërkesave për verifikim, të dhënave, akteve apo fakteve të administruara, rezultatet e verifikimit dhe të dhënave të grumbulluara.

Në Urdhërin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohen edhe detyrimet e punonjësve që do të jenë pjesë e Sektorit të Verifikimit. Sipas këtij akti, të dhënat dhe informacionet e grumbulluara në këtë proces trajtohen në përputhje me ligjin nr.138/2015, me Vendimin e Kuvendit nr. 17 datë 04.03.2016, si edhe me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Po ashtu, çdo person që hyn, transmeton, përdor ose përpunon të dhënat e sistemit elektronik në kundërshtim me rregullat teknike dhe legjislacionin në fuqi, ngarkohet sipas rastit me përgjegjësi administrative ose penale. /albeu.com/
Shtuar më 16/03/2016, ora 15:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori