Prokuroria dërgon për gjykim 6 persona të cilët jepnin diploma false
Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim gjashtë persona, të akuzuar për shpërndarje të diplomave false kundrejt shumave të caktuara të parave. Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 6 persona, të cilët akuzohen se shpërndanin diploma false të shkollës së mesme kundrejt shumave të konsiderueshme.

Hetimi ka nisur në bazë të materialit referues nga Drejtoria Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka ngritur akuzat për korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të “Ushtrimit të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe të “Falsifikimit të dokumenteve shkollorë” nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, në bashkepunim, të parashikuara nga nenet 187/2-25, 245/1 e 259 te K.Penal, për shtetasit:

1. Afete Koka, ish-punonjes prane Universitetit Jopublik “Kristal”, Tiranë
2. Gramoz Shehu, ish-punonjes prane Universitetit Jopublik “Kristal”, Tiranë
3. Arbër Pelo, mësues në Fier
4. Andrea Haxha, drejtor i një gjimnazi publik në Fier
5. Aleksia Troka, sekretare në gjimnazin publik në Fier
6. Belita Zeqiri

Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një grup që siguronte diploma gjimnazi fallse për persona të ndryshëm në këmbim të shumës 1800 euro.

Sipas skemës së zbërthyer nga Prokuroria e Tiranës, rezulton se këta shtetas, 3 prej të cilëve nga Tirana, viheshin në kontakt me persona që kërkonin të pajiseshin me diploma të shkollës së mesme dhe më pas komunikonin me drejtorin dhe sekretaren e gjimnazit publik në Fier, për t’i pajisur me dokumentin që dëshmonte se kishin përfunduar studimet e mesme.

Zyrtarët arsimorë, pasi i përfshinin në mënyrë fiktive si të regjistruar në shkollën e tyre, u kërkonin personave që kërkonin diplomë gjimnazi, të merrnin pjesë në provimin shtetëror të maturës.

Lidhur me rezultatet e kërkuesve të diplomës në këtë provim, zyrtarët e gjimnazit ndërhynin në rezultatin përfundimtar, duke u dhënë atyre notë kaluese. Për këtë shërbim, të gjithë personat e përfshirë, ndanin shumën prej 1800 eurosh për person. /albeu.com/

Shtuar më 24/04/2015, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori