Leonardo e do me çdo kusht te PSG-ja, Milani nuk heq dorë nga Bennacer

Ismael Bennacer konsiderohet si i pashitshëm nga Milan dhe pritet të qëndrojë gjatë në “San Siro”.

Algjeriani kërkohet me ngulm nga Leonardo, i cili dëshiron ta shohë të veshur me fanellën e PSG, por kjo gjë duket se nuk ka gjasa të ndodhë, të paktën këtë verë. Për mesfushorin, kampionët e Francës kishin ofruar 30 milionë euro, por drejtuesit e Milanit duket se kanë plane të tjera. Bennacer është pjesë e kuqezinjve që nga viti i shkuar, kur u mor nga Empoli për 16 milionë euro.

Përveç Empolit, 22-vjeçari shkëlqeu në Kupën e Afrikës, ku u shpall kampion me Algjerinë, si dhe lojtari më i mirë i turneut, duke lënë në hije edhe emra të njohur si Salah, Mane apo Aubameyang.


Shtuar 3.06.2020 10:53