Prokuroria çmonton telefonin e Tires, zbardhen mesazhet me familjarët e pacientëve
Prokuroria e Tiranës i ka shtrirë hetimet lidhur me rastin "Tire Alldervishi", e cila akuzohet për mashtrim, pas denoncimit që bëri vajza e një pacienteje tek "Shefqet Ndroqi", e cila fatkeqësisht ndërroi jetë 1 muaj pas infektimit.

Ndërkohë që ish-sanitarja e spitalit ndodhet pas hekurave, në celularin e saj prokurorët kanë zbuluar edhe biseda me familjarë të të afërmve të tjerë që kanë qenë shtruar pas infektimit me Covid-19.

Në telefonin e saj janë gjetur mesazhe dhe biseda të tjera me persona kryesisht të afërm të pacientëve të shtruar në këtë spital, ku sanitarja dyshohet të ketë kryer të njëjtën procedurë.

Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se kanë nisur një verifikim të gjithë personave, me të cilët ka kontaktuar 52-vjeçarja për të vërtetuar që rasti i fundit i vajzës të cilës i vdiq nëna në spital pasi pagoi 8 mijë euro, nuk ka qenë i izoluar, por sanitarja e ka kryer edhe më parë të njëjtën praktike.

Mësohet se janë duke u hetuar dhe komunikimet me mjeket dhe infermieret e këtij spitali ku duket se 52-vjeçarja ka shkëmbime mesazhesh.

Ndërkohë Alldervishi i është drejtuar gjykatës së Apelit për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë me pretendimin se nuk ndodhet në gjendje të mirë shëndetësorë, pasi ka kaluar Covid-in.

Skandali me ish-sanitaren tek "Shefqet Ndroqi" u publikua nga emisioni "Stop" të martën e 12 janarit ku punonjës të këtij spitali, bënin pazar me jetën e pacientëve duke marrë lekë nga të afërmit e këtyre të fundit për tu shërbyer të sëmurëve që kishin brenda spitalit Covid, shkruan oraneës.

Vajza e një zonje 55-vjeçare, e cila humbi betejën me Covid pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, denoncoi faktin, se një sanitare e këtij spitali, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.
Shtuar më 25/01/2021, ora 18:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori