Prokuroria bllokon pronat e dy kunetërve të Majlinda Bregut
Prokuroria e Përgjithshme, Tiranë
Prokuroria sekuestron pasuritë e përbashkëta të kunetërve të ministres së Integrimit Majlinda Bregu me shtetasin italian Angelo Prudentino, djali i mafiozit italian Albino Prudentino, i arrestuar në Vlorë një javë më parë.

“Në kuadër të hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ndaj shtetasit Albino Prudentino për veprën penale të "Pastrimit të produkteve të veprës penale", është vendosur sekuestro ndaj aktiviteteve tregtare ku djali i tij, Angelo Prudentino rezulton të jetë apo të ketë qenë aksioner dhe konkretisht ndaj shoqerisë anonime Betting System Albania dhe Bet Plus”, thuhet në një deklaratë të Prokurorisë së Përgjithshme.
Nga hetimet ka rezultuar se kunetërit e Majlinda Bregut, biznesmenët Ervis

Gjeçaj dhe Gani Baku, së bashku me një shtetas italian, kanë blerë 80% të aksioneve të kompanisë së basteve “Betting System Albania”, të cilat zotëroheshin më parë nga Angelo Prudentino. Ai i shiti aksionet menjëherë pas arrestimit të babait të tij në Vlorë, por aksionet në fjalë janë bllokuar edhe pse u blenë nga biznesmenët shqiptarë.

Sipas saj, në zbatim të ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë", Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, mbi bazën e kërkesave të drejtuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda, ka vendosur sekuestron ndaj shoqërive tregtare Cassino Italia, Betting System Albania dhe Bet Plus.

Prokuroria bëri me dije se po punohet me intensitet për grumbullimin e provave të mëtejshme ndaj personave të përfshirë në veprimtari të pastrimit të produkteve të veprës penale si dhe për identifikimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive të disponuara nga personat nën hetim apo lidhjet e tyre në zbatim të ligjit procedural penal dhe ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë". (albeu.com)
Shtuar më 08/10/2010, ora 10:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori