Prokurori që tmerron "peshqit e mëdhenj" sot del para vetingut
Prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme Ramadan Troci do të paraqitet ditën e premte para Komisionit të Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit ndaj tij. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që po shqyrton dosjen e prokurorit Troci përbëhet nga Pamela Qirko, Genta Tafa (Bungo) dhe Suela Zhegu. Trupa gjykuese do ta njohë prokurorin me gjetjet e hetimit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Ramadan Troci njihet ndryshe edhe si prokurori që goditi ‘peshqit e mëdhenj’, të cilët më pas u shpëtuan nga gjykatat. Ramadan Troci ka firmosur arrestimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesarin e bankës. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u prangos mbrëmjen e 5-shtatorit 2014, në zyrën e tij, në selinë qendrore të Bankës.

Sipas Prokurorisë, Fullani kishte abuzuar me detyrën e tij në 5 pika konkrete, duke lënë terren për abuzime që sollën deri në vjedhjen e shumës prej 713 milion dollarëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Në përfundim gjykata i rrëzoi këto akuza, ndërsa Fullani mori 56 rroga dëmshpërblim. Ndërkaq, në shkurt të 2015, Prokurori Ramadan Troci firmosi urdhër-arrestin edhe për ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohej për shpërdorim detyre. Edhe Gjika u shpall i pafajshëm nga gjykata.

Hetimi i thelluar

Pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë depozituar tre raporte për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale të prokurorit Troci. Raportet janë dorëzuar respektivisht nga Inspektoriati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Raportet janë shqyrtuar nga trupa gjykuese dhe përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Trupa gjykuese dhe ONM kanë zhvilluar hetime të theluara për njërin ose për të tre kriteret. Rezultati i këtij verifikimi të thelluar është përcaktues për fatin e prokurorit.

Pasuria
Ligjshmëria e pasurisë mbetet kriteri kryesor për konfirmimin ose shkarkimin nga detyra të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët i nënshtrohen Vetingut. Prokurori Troci ka deklaruar një pasuri modeste pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Të ardhurat e prokurorit Troci, referuar deklaratave të pasurisë që ka siguruar Shqiptarja.com, përbëhen nga paga e tij, paga e bashkëshortes si dhe paga e vëllait pas vitit 2010. Nga viti 2003 dhe në vijim, Troci deklaron se ka kursyes nga paga e tij dhe e bashkëshortes 400 000 deri në 700 000 lekë në vit.

Në deklaratën fillestare, Troci deklaron vetëm një veturë me vlerë 300 000 lekë. Makinën e ka shitur në vitin 2007 në vlerën 400 000 lekë, ndërsa ka blerë në vitin 2008 një veturë tip Mercedes Benz, me vlerë 700 000 lekë. Sa i përket pasurive të paluajtshme, prokurori ka deklaruar blerjen e një apartamenti në Tiranë, në vitin 2011, me sipërfaqe 94.4 m2, me vlerë 5 494 080 lekë. Si burim, Troci deklaron kursime nga pagat dhe një kredi bankare, në vlerën 2 490 537 lekë, me afat shlyerje 15 vjet. Makina, apartamenti dhe paratë e kursyera mbulohen me të ardhurat.

Pasuria e prokurorit Ramadan Trocit

Viti 2003
Paga dhe shpërblime, 1 000 000 lekë.
Pronar i një veture, blerë me kursime nga paga, 300 000 lekë.

Viti 2004
Paga dhe shpërblime, 955 764 lekë.
Bashkëshortja, të ardhura nga paga, 110 000 lekë.
Kursime kesh, 500 000 lekë.

Viti 2005
Paga, 970 000 lekë.
Bashkëshortja paga, 225 800 lekë.
Gjendje depozite, 170 000 lekë.
Kursime, 500 000 lekë.

Viti 2006
Paga dhe shpërblime, 899 510 lekë.
Gjendje depozite kanakare, 190 000 lekë.
Kursime, 400 000 lekë.

Viti 2007
Paga dhe shpërblime, 1 020 352 lekë.
Kursime 1 000 000 lekë.
Shitur veturë, 400 000 lekë.
Bashkëshortja paga, 290 800 lekë.

Viti 2008
Paga, 1 281 786 lekë.
Bashkëshortja paga, 354 235 lekë.
Blerë veturë tip Mercedes Benz, 700 000 lekë.

Viti 2009
Paga, 1 062 065 lekë.
Bashkëshortja paga, 397 749 lekë.
Bashkëshortja, gjendje depozite, shtuar me 180 000 lekë.
Kursime, 500 000 lekë.

Viti 2010
Paga, 1 131 147 lekë.
Bashkëshortja paga, 395 749 lekë.
Vëllai paga, 480 000 lekë.
Bashkëshortja, gjendje depozite, shtuar me 257 198 lekë.
Kursime, 500 000 lekë.
Vëllai, kursime, 200 000 lekë.

Viti 2011
Paga 1 124 500 lekë.
Vëllai paga, 780 000 lekë.
Vëllai kursime kesh, 300 000 lekë.

Blerë apartament banimi me sip. 94.4 m2 në Tiranë, 5 494 080 lekë, me kursime nga pagat dhe kredi bankare me principal 2 580 000 lekë. Detyrime të papaguara 2 490 537 lekë.

Viti 2012
Paga dhe shpërblime, 1 193 182 lekë.
Bashkëshortja paga, 354 150 lekë.
Vëllai paga, 397 000 lekë.
Gjendje kursime kesh, 400 000 lekë.
Detyrime për kredinë 2 361 703 lekë.

Viti 2013
Paga, 1 001 031 lekë.
Bashkëshortja paga, 354 150 lekë.
Vëllai paga, 410 000 lekë.
Kursime, 400 000 lekë.
Detyrime për kredinë 2 229 217 lekë

Viti 2014
Paga, 1 358 779 lekë.
Bashkëshortja paga, 466 800 lekë.
Vëllai paga, 627 700 lekë.
Gjendje kursime, 500 000 lekë.
Detyrime për kredinë 2 080 300.

Viti 2015
Të ardhura nga paga dhe shpërblime, 1 572 227 lekë.
Bashkëshortja, të ardhura nga paga, 493 015 lekë.
Vëllai, të ardhura nga paga, 698 140 lekë.
Gjendje kursime kesh, 700 000 lekë.
Detyrime për kredinë 1 926 688 lekë.

Viti 2016
Kursime nga pagat, 700 mijë lekë.
Paga si drejtues i Prokurorisë Vlorë, 1,572,227 lekë
Të ardhura si anëtar i Këshillit të Prokurorisë, 17 000 lekë
Të ardhura nga paga e bashkëshortes si mësues në shkollën “Sabaudin Gabrani”, 493,015 lekë.
Të ardhura nga paga e vëllait si punonjës policie, 698,139 lekë
Kredi për 15 vite në shumën 2,580,000 lekë, shlyer 61,147 lekë.
Shtuar më 06/11/2018, ora 08:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori