Progresi i Kosovës do të vihet në pikëpyetje nëse klasa e saj politike do të jetë e ndarë
Pëlqej
Albeu.com
Kështu ka deklaruar të hënën shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen me t’u kthyer nga Nju Yorku, ku të premten mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.Jesen Petrsen edhe një herë e ka vlerësuar si shumë pozitiv debatin që u zhvillua në Këshillin e Sigurimit. Ai njoftoi se emri i të dërguarit të Ananit për vlerësimin e përgjithshëm të standardeve pritet të publikohet të martën.

”Mendoj se më shumë se asnjëherë e ardhmja është në duart e autoriteteve të këtushme. Kur them autoriteteve kam parasysh institucionet, opozitën, autoritetet lokale dhe qytetarët. Secili e din se çka duhet bërë në dy tre muajt e ardhshëm”, ka theksuar Jesen Petrsen duke kërkuar nga kosovarët që të arrijnë më shumë përparim në fushat që kanë të bëjnë me minoritet, lëvizjen e lirë dhe kthimin e të zhvendosurve.

Kreu i UNMIK-ut Jesen Petersen tha se qëndron prapa deklaratave të mëhershme se bisedimet për statusin final do të fillojnë këtë vjeshtë. Por Petersen, tërhoqi vërejtjen se emërimi i një të dërguar të Kombeve të Bashkuara për Kosovën nuk do të thotë se puna ka mbaruar.

Kryeadministratori Jesen Petersen porositi liderët e Kosovës që të jenë unik në këtë fazë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon vendi.

”Me Grupin e Kontaktit unik, do të ishte fatkeqësi e madhe nëse këtu nuk do të kishim unifikim të faktorit politik. Me unitet do të ketë shans për të ecur përpara, dhe, nëse ka ndonjë lloj ndarje këtu progresi do të vihet në pikëpyetje”, tha Jesen Petersen, sipas të cilit Forumi Politik i Kosovës është një shans i mirë që të gjithë të jenë së bashku.

Ai bëri të ditur se Forumi do të mblidhet zyrtarisht këtë të enjte.

“Pas Nju Jorkut ky do të jetë shansi i parë për t’u ulur së bashku dhe për të diskutuar së bashku rrugën përpara”, tha shefi I UNMIK-ut.

Kryeadministratori Jesen Petersen shfaqi shpresën, se të gjithë në Kosovë do ta kuptojnë mesazhin që doli nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit për të shënuar më shumë përparim në përmbushjen e standardeve.

Vlerësimi gjithëpërfshirës do të bëhet nga një i dërguar i posaçëm i Ananit dhe në rast se ai do të jetë pozitiv, bisedimet për statusin përfundimtarë do të fillojnë këtë vjeshtë. radio kosova
Shtuar më 31/05/2005, ora 01:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori